E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: BE t`i ushtrojë trysni Serbisë për bisedimet

BE duhet t`i ushtrojë trysni Serbisë për vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara, që janë ndërprerë muajin e kaluar, tha shefja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri pas takimit me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Samuel Zhbogar në Lubjanë. Sipas saj, BE-ja si ndërmjetësuese në dialog ka mjete të rëndësishme për t’i detyruar palët për bashkëpunim. Ajo ka fajësuar qeverinë e Serbisë për këtë situatë dhe është shprehur se BE-ja duhet ta shpërblejë Prishtinën me “raporte kontraktuale”, deri në fund të vitit, për rolin konstruktiv të Kosovës deri tani.

"Gjithashtu i kemi kërkuar BE-së që nëse ka mungesë bashkëpunimi nga pala serbe atëherë konstruktiviteti i Kosovës në dialog duhet të shpërblehet duke i dhënë Kosovës mundësinë për të përparuar drejt BE-së dhe kërkresa jonë konkrete është që deri në fund të vitit ne do të duhej të hynim në marrëdhënie kontraktulae me Bashkimin Evropian", ka thënë zv/kryeministrja Edita Tahiri.

Duke folur për veriun, Tahiri ka thënë se barrikadat janë në kundërshtim me vlerat evropiane, dhe se ato do të hiqen në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, e në mënyrë të moderuar. Ndërkohë, Zbogar ka thënë se Kosova ka vërtetuar edhe njëherë se dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara. Ai ka thënë se pas Raportit të Progresit Kosova do të marrë rekomandime konkrete nga BE-ja për rrugën e saj të integrimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›