E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Bisedimet me Serbinë vazhdojnë gjatë janarit

PRISHTINE - Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë bisedimet gjatë janarit për energjetikën, telekomunikacionin dhe përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale. Data e saktë e takimit të radhës akoma nuk dihet, por të dyja palët, Prishtina edhe Beogradi, konfirmojnë se dialogu do të vazhdojë.

Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, i tha radios Deutsche Welle se gjatë takimeve të janarit do të diskutohen edhe çështje tjera.

“Besoj se nga mesi i muajit do ta kemi takimin e radhës dhe do të diskutohen çështjet që tashmë janë në agjendë: bashkëpunimi rajonal, energjia dhe telekomunikacioni. Po ashtu mendoj se gjatë muajit shkurt mund të kemi edhe një raund tjetër bisedimesh për çështjet si transporti rrugor dhe hekurudhor, transporti ajror, kompensimi i dëmeve të luftës, demarkacioni i kufirit, çështja e të pagjeturve dhe çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje”, - ka thënë Tahiri.

Nga ana tjetër udhëheqësi i ekipit të Beogradit, Borislav Stefanoviç, ka thënë se pala serbe ka kërkuar që në çështjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës të merret parasysh Rezoluta 1244 e KS-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›