E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Fyle dha alarmin për qeverinë

Megjithëse Fyle tha se dyja palët duhet të punojnë për të zgjidhur këtë krizë, për deputetin socialist, Sajmir Tahiri, fajtor është qeveria që sipas tij e la vendin jashtë dyerve të BE-së.

“Pushteti i votave të vjedhura nuk ka më asgjë të përbashkët me standardet evropiane, por mishëron standarde talebane, duke plaçkitur e vjedhur me babëzinë e korrupsionit, gjithçka në këtë vend i përket popullit”, theksoi ai.

Ai përmendi një sërë çështjes si tragjedinë e Gërdecit, etj, duke e akuzuar qeverinë se është kthyer në një agjenci sekserësh. “Parlamenti është shndërruar në paradhomën e partisë në pushtet, ku ligjet shkelen e ç’bëhen, përdhosen institucionet e pavarura kushtetuese, vidhen taksat e qytetarëve për dietat e Jozefinës dhe majmen e deputetëve të qeverisë, duke çmontuar demokracinë dhe shtetin ligjor me dhunën e arrogancën e pushtetit të votave të vjedhura, tamam siç ndaloi në mënyrë antikushtetuese të drejtën tonë për të hetuar zgjedhjet e kaluara”, vijoi ai.

Deputeti Tahiri shtoi se e vërteta e votave të vjedhura në zgjedhjet e kaluara nuk është kurrë çështje e kaluar, por sipas tij, ajo rëndon mbi kokën e pushtetarëve.“E vërteta do dali nga kutitë pavarësisht përpjekjeve të Sali Berishës për ta penguar, ashtu sikurse zgjedhjet e ardhshme nuk do jenë dot skena e përsëritur e manipulimit shtetëror që vë dorë mbi vullnetin e zgjedhësve për të vënë në dorë pasurinë e shqiptarëve”, vijoi ai./Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-05 14:56
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›