E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Kallzim penal Gazmend Dibrës për blerjen e votës me ushqime

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë Saimir Tahiri ka ngritur sot një kallëzim për Gazmend Dibrën, kandidat për deputet i PD.

Në kallëzimin e depozituar në Prokurorinë e Tiranës, Tahiri kërkon nisjen e hetimeve për vepren penale të “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, parashikuar ne nenin 328 te Kodit Penal, e konsumuar nga shtetasi Gezmend Dibra, kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Tahiri sqaron se kallëzimi është ngritur, “Referuar filmimeve të bëra nga gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare”, shfaqur për publikun në datë 11.06.2013, rezulton se nga ana e shtetasit Gazmend Dibra por edhe personave të tjerë të paindetifikuar nga ana jonë në këtë moment, janë kryer veprime të cilat parashikohen nga ana e Kodit Penal dhe konkretisht nga neni 328 i tij si vepër penale. Konkretisht nëpërmjet këtyre filmimeve vihet re në mënyrë të qartë fakti se në një njësi tregtare në rrugën “Myslym Shyri”, shpërndaheshin pako me ushqime për qytetar/votues në Tiranë, duke ju kërkuar në këmbim të marrjes së pakove edhe votimin për subjektit zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Shpërndarja e këtyre pakove bëhej në njësi tregtare që nuk ka asnjë lloj lidhje me tregtimin e produkteve ushqimore, por që kishte si objekt të veprimtarisë së saj shitjen e bojrave. Fakti që, nga ana e kësaj njësie tregtare kryhej veprimtari e paligjshme e karakterit penal, provohet në mënyrë të paekuivokt nga deklarimi që bëjnë dy shtetas në këtë emision, duke zbërthyer gjithë skemën që përdoret për të blerë votën e këtyre dy qytetarëve, por edhe të tjerëve që ishin përfitues të pakove ushqimore. Përfshirja e drejtëpërdrejt e kandidatit të kallzuar, provohet fare mirë nga filimet e bëra nga ana e operatoreve të emisionit “Fiks Fare” nëpërmjet prezencës së tij në këtë njësi tregtare dhe komunikimit me organizatorët”, sqaron Tahiri.

Duke iu referuar Nenit 328 i Kodit Penal, Tahiri sqaron se ai parashikon se:
“Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet".

“Referuar parashikimeve të kësaj dispozite të Kodit Penal si dhe fakteve objekt kallzimi, konsiderojmë se nga ana e shtetasit Gazmend Dibra janë konsumuar të gjithë elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Për rrjedhojë, bazuar në nenin 280 të Kodit të Procedures Penale, kërkojme fillimin e hetimeve paraprake për shtetasin në fjalë dhe për gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, sqaron Tahiri.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›