E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edita Tahiri: Nuk ekziston çështja e veriut të Kosovës

PRISHTINE - Kryetarja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë të zhvilluara në Bruksel, Edita Tahiri, në një prononcim për “Tribuna Shqiptare”, ka deklaruar se nuk do të këtë bisedime politike për veriun. Sipas saj, ky kapitull është i mbyllur dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë.

“Qeveria e Republikës se Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin se dialogu do të jetë vetëm teknik dhe do të mbetet vetëm teknik. Nuk do të këtë bisedime politike, ky kapitull është i mbyllur”, ka thënë Tahiri.

Në këtë aspekt, kryenegociatorja Tahiri ka theksuar se nuk ekziston çështja e veriut e as që ka ekzistuar ndonjëherë.

“Çështja e veriut është një trillim dhe sajesë e politikës hegjemoniste të Serbisë, ajo nuk ka ekzistuar kurrë. Mirëpo, ajo që ne e konsiderojmë si sfidë është integrimi i një pjese të minoritetit serb në institucionet dhe jetën publike të Kosovës, ashtu siç kemi pasur suksese edhe me pjesën tjetër të minoritetit serb të cilët tani janë pjesë e jetës institucionale të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Këto komente të kryenegociatores Tahiri vijnë pas deklaratës së raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, e cila tha se e sheh si të nevojshëm nisjen e një dialogu politik për veriun e Kosovës, por pas formimit të qeverisë së re në Serbi.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›