E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Opozita do e mundë krimin kur të vijë në pushtet pas 10 muajsh

Në një prononcim për mediat deputeti socialist Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ministrit të Brendshëm. Tahiri tha se ndërkohë që zjarret po bëjnë kërdinë duke u shkrumbuar pasuria e shqiptarëve dhe kriminaliteti është përditë në rritje kjo nuk është problem për Ministrin e Brendshëm, por i vetmi problem qenkërka opozita.

Dëgjuam Ministrin e Brendshëm që na tha se zjarret nuk janë problem, se krimi dhe kriminelët nuk janë problem, se vetëm opozita është problemi. Gati sa nuk na tha se zjarret i ndez opozita dhe se krimin e bën opozita. Dhe natyrisht mundet ta thoshte me logjikën e tij anadollake. Sepse e vetmja logjikë dhe arsye që i ka mbetur këtij pushteti matrapazësh dhe të paaftësh është të fajësojnë opozitën për gjithçka, tha Tahiri.

E falenderojmë ministrin që na bën thirrje solidariteti, por rikujtojmë që deri më sot kryeministri i tij, kryeministri i vendit nuk ka thënë asnjë fjalë për të gjitha hektarët e pyjeve që sot digjen dhe për pasurinë që shkrumbohet. Siç ska thënë asnjë fjalë për të 158 qytetarët që kanë humbur jetën rrugëve të Shqipërisë apo për 222 qytetarët e tjerë që janë plagosur apo gjymtuar përjetësisht. Kryeministri nuk ka folur deri më sot as për zjarret, deri më sot nuk ka folur as për krimin dhe kriminelët. Shqiptarët kanë sy të shohin pasurinë që digjet, siç kanë vesh të dëgjojnë për krimin që sot ka nënshtruar qytetarët dhe shoqërinë. Siç kanë mend të kuptojnë se fajin për këtë nuk e ka opozita, por e ka qeveria e Sali Berishës që u bë tashmë thuajse 8 vjet që është në pushtet. Ndaj i rikujtojmë dhe i premtojmë kësaj qeverie se po opozita do luftojë dhe do mundë krimin dhe kriminelët pas 10 muajsh kur të vijë në pushtet. Deri atëherë do luftojmë dhe do mundim këtë qeveri të kapur deri në fyt nga krimi dhe kriminelët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›