E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sesioni parlamentar në prag të vendimit për statusin

Teksa në fillim të tetorit pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, në Shqipëri ende nuk janë miratuar disa ligje të rëndësishme, pjesë të 12 kritereve.

Çështja e imunitetit përbën edhe diskutimin kryesor politik në këtë drejtim, ndërsa pa u miratuar janë edhe ligjet për statusin e nëpunësit civil dhe administratën. Edhe seanca e sotme nisi me akuza dhe kundër akuza midis mazhorancës dhe opozitës, ndërsa pritet dita e enjte kur do të merret vesh nëse kërkesat e opozitës për ndryshimet kushtetuese do të merren parasysh nga mazhoranca, çka varet edhe heqja e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë.

Seanca e sotme kishte tre fjalime, midis të cilëve edhe të kryetares Jozefina Topalli, e cila e vuri theksin tek miratimi i reformave integruese. “Unë jam më se e bindur që shqiptarët, në vjeshtën e 100 vjetorit të Pavarësisë, e meritojnë të kenë një përgjigje pozitive për marrjen e statusit kandidat. Që kjo të ndodhë duhet të jemi të bashkuar. Disa ligje themelore, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, kërkojnë me domosdoshmëri votim me shumicë të cilësuar.  Miratimi i këtyre ligjeve janë detyra të cilat Bashkimi Evropian u ka dhënë ligjvënësve shqiptarë”, theksoi ajo.

Zonja Topalli u shpreh se në kalendar gjenden ligje shumë të rëndësishme të cilat janë të vendosura me konsensus në marrëveshjen e 14 nëntor 2011. “Për fat jo të mirë disa nga këto ligje nuk mundën të shihnin dritën jeshile gjatë seancës së fundit parlamentare.  Pa votën e kolegëve të opozitës këto ligje, të cilat konsiderohen themelore për marrjen e statusit kandidat, nuk mund të miratohen. Miratimi i këtyre ligjeve (që kërkojnë votë të cilësuar) janë kusht i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pa votën e kolegëve opozitarë disa nga këto kushte nuk mund të përmbushen. Shqiptarët nuk do të shpërblejnë as bojkotuesit as bllokuesit”, vijoi.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u ndal tek tre momente kryesor, siç është zgjedhja e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, mungesa e parlamentarizmit, si dhe mungesa e shtetit në shërbim të qytetarëve. Për çështjen e parë, Ruçi tha se me të ardhur në krye të Shtetit, Nishani emëroi njerëz të Partisë Demokratike në poste të rëndësishme, si në krye të SHISH-it, apo nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Sot në ditën e parë të sesionit parlamentar i themi presidentit se nuk je një noter i kryeministrit, po jeni noter i Kushtetutës, garant i saj, garant i unitetit dhe i sigurisë kombëtare. Së dyti ky sesion parlamentar përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë dhe na gjen me një Parlament po nuk na gjen me parlamentarizëm. “Arritja e tretë” është se ky 100 vjetor e gjen shtetin shqiptar pa shtet në shërbim të  qytetarëve, po në shërbim  të pushtetarëve; E gjen me papunësi të rritur; E gjen me varfëri të shtuar; E gjen me të ardhme të rrezikuar. Pra, me pak fjalë ky 100 vjetor e gjen shtetin shqiptar në udhëkryqin diktaturë bjelloruse apo rrugës së Shqipërisë si gjithë Evropa”, tha Ruçi.

Duke u përqendruar tek reformat, drejtuesi i deputetëve të opozitës, tha se mazhoranca po i jep vendit dështimin e tretë për marrjen e statusit. “Nëse e keni vërtet hallin tek statusi dhe jo tek fajësimi opozitës përgjigjuni kërkesave të Bashkimit Evropian për 12 rekomandimet. Ku janë rezultatet e kërkesave të Bashkimit Evropian për luftën kundër korrupsionit? Ku janë rezultatet për pandëshkueshmërinë që është tipari themelor i kësaj qeverie? Ku janë rezultatet për zgjidhjen e çështjes së pronësisë? Ku janë rezultatet për sistemin e drejtësisë? Ku janë rezultatet për luftën ndaj krimit të organizuar? Ku janë rezultatet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut? Kurse përsa i përket imunitetit opozita nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë dilemë. Vota jonë është PRO! Për opozitën ky është një problem i mbyllur politikisht. Çdo gjë tjetër është një alibi. Çdo gjë tjetër është një marrëzi jo vetëm politike, por edhe kushtetues”, nënvizoi Ruçi.

Më pas, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili akuzoi opozitën për bllokimin e heqjes së imunitetit. “Që historia të bëhet dhe që ajo të shënjohet me datat e saj, ka nevojë gjithmonë për burra të mëdhenj, siç ishin, fjala vjen, firmëtarët e pavarësisë. Ne e kemi plotësisht në dorë vetë që ta bëjmë historinë, për të shënuar një pikë kthese për sistemin, për politikën dhe për marrëdhëniet e saj me qytetarët. Sepse burrat e shtetit nuk kapen pas datës, pse për gjashtë, po për shtatë, por e ndajnë mendjen, dhe vendosin, e japin fjalën, dhe e mbajnë. Në kohërat moderne burrat e shtetit merren vesh për çështje të mëdha, ata nënshkruajnë dhe votojnë.

Por Edi Rama duket se nuk ka ndërmend të bëhet ndonjëherë burrë shteti. Ndaj edhe jemi në këtë pikë sot. Ndaj edhe në mënyrë të njëanshme 6 gushti u kthye në një ditë mëkati për Partinë Socialiste, një faqe e zezë në historinë e re të saj. Por ne shpresojmë ende se ka një mënyrë që kjo të shlyhet. Vetëm po të votojmë bashkërisht sa më shpejt, mundësisht që tani. Le ta bëjmë, po të doni, më 6 shtator, kur në vend të shqyrtimit të atyre nismave qesharake, të hedhim një hap dinjitoz përpara. Ne jemi plotësisht të qartë se referendumi është një rrugë e mundimshme, një ide që erdhi vetëm si përgjigje e refuzimit të Edi Ramës, një mënyrë e tërthortë për të arritur një synim të madh. Por ndërkaq, ne jemi të vendosur që të provojmë çdo mjet dhe rrugë legale për të arritur tek synimi final: Shqipëria një vend pa imunitete", theksoi Patozi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-03 15:26
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›