I heton SHISH edhe familjarët e kryeministrave? Po, thotë ish-kreu Myftari dhe përmend Xhoana Nanon
Një nga versionet e përmendura këto ditë në media lidhur me fiksimin e Berishës për të marrë me çdo kusht nën kontroll edhe Shërbimin Informativ, është ajo e ekzistencës së të dhënave komprometuese për anëtarë të familjes së tij, më konkretisht fëmijëve. Nëse ky version qëndron, qoftë edhe pjesërisht, pyetja e parë që të vjen në mend është: A hetohen nga Shërbimi sekret edhe familjarët e kryeministrave? Nëse do provonim një përgjigje bazuar te precedentët, del se ato ekzistojnë, së paku, kjo kuptohet nga një artikull në të përditshmen Panorama, ku citohen disa deklarata të atyre që kanë drejtuar Shërbimin sekret nga 1991 e këtej.
Një prej tyre, Petrit Myftari (drejtues i SHISH në 2004) citohet të ketë deklaruar se ka dhënë një urdhër për hetime për Xhoana Nanon: Duke zbatuar ligjin, u kërkova të gjithë drejtorëve të arkivave që ishin në varësi të Shërbimit, të kontrollonin…- është shprehur ai – pasi, (citohet Myftari): në media, por dhe nga segmente të caktuara të politikës, zonja Xhoana Nano ishte akuzuar për lidhje me agjenturën e një vendi fqinj, Greqinë, ku ajo kishte jetuar për një periudhë kohe.
Ka deklaruar Myftari: …Por ndërkohë, urdhri im ishte mësuar nga kryeministri. Ai më kërkoi në zyrë dhe, dukshëm i pezmatuar, më pyeti se si ishte e mundur që as për një gjë të tillë, kaq drejtpërdrejt e lidhur me vetë atë, nuk e kisha vënë në dijeni. Kryeministri ishte i pakënaqur dhe më kërkoi që një përgjigje të tillë ta jepja edhe me shkresë zyrtare. Është e pamundur, i thashë, për të prodhuar një shkresë të tillë, më duhet një shkresë zyrtare nga ju. Vetë e kam të pamundur të jap një përgjigje zyrtare pas një kërkese gojore, iu përgjigja atëherë, dhe po atë moment (ishte pothuaj mesnatë) kjo shkresë mu dha në dorë…Fatkeqësisht Shërbimi është konceptuar në funksion të pushtetit dhe jo të shtetit. Si të tilla, këto marrëdhënie, patjetër do të jepnin ndikimin e tyre edhe në të nesërmen….
