E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Pesë vendet e BE-së duhet ta njohin Kosovën

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka ftuar pesë vendet e Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës, si një kontribut i duhur për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Këto komente, Tahiri i ka bërë gjatë fjalimit të saj në Forumin Ndërkombëtar për Ballkanin që u mbajt në Edrene të Turqisë, ku temë diskutimi ishte “Integrimi regjional multidimensional - vizioni për Bashkëpunim 2013”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për ardhmërinë euro-atlantike dhe angazhohet për thellimin e bashkëpunimit rajonal, si një strategji për forcimin e paqes, stabilitetit dhe avancimin e rrugës drejtë BE-së dhe NATO-s.

“Që nga përfundimi i kapitullit të luftërave dhe tragjedive me intervenimin ndërkombëtar në 1999, në Ballkan është vendosur një paradigmë e re e aktorëve, proceseve dhe qëllimeve. Shtatë shtetet e reja që dolën nga zhbërja e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë Kosovën si shtetin më të ri, kanë shënuar progres të nivele të ndryshme si në konsolidimin e shteteve të tyre demokratike ashtu edhe në integrimeve evropiane. Kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë, dhe sfidat kryesore të këtyre vendeve kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe rritjen e vendeve të punës, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e dukurive negative andaj bashkëpunimit rajonal është mundësi që duhet të shfrytëzohet për të bashkëpunuar për paqen dhe zhvillimin”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se për të pasur një paqe të qëndrueshme në Ballkan, duhet të njihen realitetet e reja në rajon dhe shtetet duhet të respektojnë dhe bashkëpunojnë me njëra tjetrën mbi parimet evropiane të fqinjësisë së mirë dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të njëra tjetrës. Në këtë drejtim ajo ka vlerësuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë se marrëveshje e arritur në Bruksel i jepet fund ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe sipas saj marrëveshja kontribuon për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon.

Në Forumin Ndërkombëtar për Ballkanin që u mbajt në Edrene të Turqisë morën pjesë personalitete të njohura nga sfera politike, akademike dhe shoqëria civile nga rajoni dhe Evropa. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›