E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Serbia po luan me standarde të dyfishta

PRISHTINE – “Serbia ka ndërhyrë në Kosovë që nga fundi i luftës duke vendosur strukturat paralele dhe duke iu dhënë serbëve të veriut iluzionin se mund të jetojnë nën ndikimin serb dhe të injorojnë autoritetet e Kosovës”. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, njëherësh shefe e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën turke Zaman, Tahiri ka thënë se Serbia po luan me standarde të dyfishta, nga njëra anë duke u munduar që BE-së t’i japë përshtypjen se është një vend me orientim evropian, ndërsa nga ana tjetër serbëve të veriut iu jep mesazh që të mos i respektojnë marrëveshjet.

“Liderët në Samitin e BE-së thanë se Serbia nuk i ka përmbushur obligimet e dialogut, sidomos pjesën e implementimit. Po ashtu, Serbia nuk i ka tërhequr strukturat paralele nga Kosova. Prandaj vendimi që u mor në Samitin e BE-së ishte, kuptohet, që të mos i jepet Serbisë statusi i kandidatit”, -është shprehur zëvendëskryeministrja duke shtuar se ky është një mesazh i qartë se Serbia duhet të implementojë rezultatet e dialogut dhe të normalizojë raportet me Kosovën.

E pyetur nëse Kosova do ta vazhdojë dialogun nëse Serbia nuk implementon asgjë nga marrëveshjet e arritura, Tahiri është shprehur: “Ne jemi të përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim rajonal. Ne besojmë se e ardhmja e rajonit është përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Ne jemi në favor të dialogut. Megjithatë, ajo që duam të shohim është se BE-ja, si një garantues, të bëjë përparim duke përdorur diplomacinë dhe shtyrjen e kandidaturës”.

Zëvendëskryeministrja nuk ka mundur të thotë nëse Kosova do t’i bashkohet BE-së para Serbisë, por ka deklaruar se për integrimin evropian nevojitet kohë, si për vendin tonë ashtu edhe për Serbinë. Ajo ka thënë me bindje se pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë këtë në të ardhmen.
Tahiri e ka mirëpritur rolin e Turqisë në Ballkan, ndërsa ka ftuar për më shumë investime turke në ekonominë dhe edukimin në Kosovë. E pyetur rreth rolit të Rusisë në kontestet mes Beogradit dhe Prishtinës, Tahiri ka thënë se “koha e Rusisë në Ballkan ka përfunduar”.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›