Tahiri: Shqipëria shet armë për vende terroriste

Pavarësisht raportit të OKB-së, se Shqipëria u ka shitur armë vendeve problematike, siç është Libia, qeveria shqiptare vazhdon shitjen e armëve dhe municioneve.
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, është shprehur se vetëm gjatë këtyre katër ditëve të fundit qindra kamionë janë nisur me destinacion të pa njohur.
“Këtë fishek (foto) të kalibrit 12.7 ma zbritën sot nga një prej 8 kamionëve që ishin nisur për në Durrës me armatim e fishekë të të gjitha llojeve.
Ky është trafiku i armeve që bën sot qeveria e Saliut, e që sipas raportit të OKB-së, shkon për vende terroriste, ose regjime diktatoriale.
Prej 4 ditësh janë me qindra kamionë që zbarkojnë në Durrës, për t’u nisur drejt destinacionit të radhës për trafikun e armëve”, shprehet deputeti socialist.
OKB bëri me dije pak ditë më parë se Shqipëria ka shkelur embargon e vendosur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke dërguar municion në Libi në kohën e konfliktit civil, shkruan tema.
Ky armatim jo vetëm që është përdorur në konfliktin e Libisë, por tani ka nisur të përhapet me shpejtësi në vende të nxehta të rajonit, përfshi Malin, Sirinë dhe Rripin e Gazës.
Mësohet se nga Shqipëria janë dërguar në drejtim të Libisë 800 mijë fishekë mitralozi 12.7 mm, në kulmin e konfliktit civil. Në shkelje të embargos të armëve, fishekët janë dërguar në shtator të vitit 2011./Indeksonline/