Tahiri i kërkon BE-së të bëjë presion ndaj Serbisë

Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, kërkon presion ndaj Serbisë nga BE-ja, që të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialog, e veçanërisht ajo për menaxhimin e integruar të kufirit.
Tahiri shkon dhe më tej në kërkesat e saj, ku i kërkon BE-së të përmbushë premtimet e dhëna, duke i përmendur këtu vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
Por, gjithë ky mos zbatim i marrëveshjeve nga Serbia, nuk e bën atë të ndihet keq, madje as nuk e ka shtyrë të mendojë ndonjëherë për dorëheqje. Është shprehur këmbëngulëse, se pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve nuk ka vazhdim të dialogut.
Ajo thotë se me gjithë moszbatimin e marrëveshjeve nga Serbia, Kosova ka pasur përfitimet e saj, ndërsa Serbisë i ka munguar vullneti politik.
“Përgjegjësia kryesore për moszbatim bie të Serbia, e cila edhe kësaj radhe në këtë dialog teknik përdori atë logjiken e standardeve të dyfishta për gjoja e një gatishmërie verbale për marrëveshje teknike, por në anën tjetër shfaqi realitetin e mendësisë së saj politike, për një mosgatishmëri që të kryejë obligimet zbatuese. Në anën tjetër, unë mendoj se në anën tjetër përgjegjës është edhe Bashkimi Evropian, sepse është garantuese i zbatimit të marrëveshjes, andaj mendoj si ndërmjetësuesi duhet të ushtrojë ndikim e vet dhe BE-ja ka ndikime të theksuara, për faktin se integrimet evropiane janë objektiv i të dyja shteteve, edhe Kosovës edhe Serbisë”, ka thënë ajo.
E sa i përket deklaratave të Stafanoviç, ajo nuk ka dashur t`i komentojë, ndërsa ka shtuar se ai kishte mundësi të bënte më shumë në këtë proces por, që sipas saj, ai bashkë me qeverinë e Serbisë kanë dështuar.
Ajo thotë se si kusht Kosova ka pasur që përveç BE-së, të jetë ndërmjetësues edhe SHBA-ja në këto bisedime.Tahiri ka qenë e paqartë nëse veriu i Kosovës do të jetë temë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ka qenë e paqartë nëse do të udhëheqë ekipin negociator të Kosovës në një format më të lartë të bisedimeve me Serbinë.
E pyetur nëse i ka shkuar mendja të jape dorëheqje pasi marrëveshjet nuk po zbatohen, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se ajo nuk është përgjegjëse për dështimin e palës serbe, për moszbatim të marrëveshjeve.