Tahiri në prokurori për 21 Janarin: Policia provokoi
Deputeti socialist Sajmir Tahiri iu përgjigj fletë-thirrjes për të dëshmuar mbi demonstratën e 21 Janarit. “Familjarët e katër qytetarëve që humbën jetën kërkojnë drejtësi”
Tiranë Deklaratat e kryeprokurores Ina Rama për hetimet e dosjes “21 janari” janë sinkronizuar me disa veprime konkrete hetimore nga prokurorët e çështjes në Tiranë. Pas një pauze disamujore, grupi i prokurorëve ka thirrur dje për të dëshmuar rreth organizimit të demonstratës deputetin Sajmir Tahiri, aktualisht kreu i PS-së së Tiranës. Sipas Prokurorisë, deputeti Tahiri është thirrur për të sqaruar mënyrën e organizimit të demonstratës, e cila po dje u cilësua si e paligjshme nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Pas marrjes së deklarimeve nga disa deputetë të opozitës, Prokuroria gati pezulloi hetimet për këtë ngjarje për muaj me radhë, në pritje të rezultateve që po kryhen në laboratorin e FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tahiri ka dhënë shpjegime për ngjarjen dhe organizimin e demonstratës, madje duke pohuar se kanë qenë punonjësit e policisë dhe Gardës së Republikës ata që provokuan demonstruesit. “Prokurorët ishin të interesuar në lidhje me detajet që kishin të bënin me organizimin e protestës dhe protestuesit që qëlluan ndaj forcave të rendit me gurë. Unë u thashë atë që pashë, se nxitësit e vërtetë të asaj që ndodhi nuk ishin nga ana e protestuesve, por ishin nga ana e atyre që duhet të mbronin institucionet, por njëkohësisht kishin detyrimin të mbronin edhe qytetarët”- deklaroi Tahiri. Në dalje të Prokurorisë, deputeti socialist tha se opozita ka shprehur në vazhdimësi gatishmërinë për të ndihmuar në hetimin e kësaj ngjarjeje. “Me kërkesë të prokurorëve unë u paraqita në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me gjithçka dija për protestën e 21 janarit, ku humbën jetën, siç e dini të gjithë, 4 qytetarë dhe u plagosën shumë të tjerë. Ajo që është për t'u theksuar është nga njëra anë gatishmëria jonë për të ndihmuar hetimet në lidhje me 21 Janarin dhe nga ana tjetër mungesa totale e gatishmërisë së atyre që urdhëruan vrasjet e 21 Janarit, jo vetëm për të ndihmuar hetimet, por për të lejuar drejtësinë të bëjë drejtësi”- tha Tahiri. Në prononcimin e shkurtër për mediat, në dalje të Prokurorisë, deputeti socialist u shpreh: “Sot që flasim, familjarët e 4 qytetarëve që humbën jetën kërkojnë drejtësi. Fëmijët e mbetur pa prindër kërkojnë drejtësi, ndërkohë që familjarët dhe fëmijët e atyre që urdhëruan vrasjet e 21 Janarit pasurohen në kurriz të qytetarëve. Kjo është pabarazia dhe mungesa e drejtësisë, mungesa e shtetit ligjor dhe paaftësia e këtij shteti për të bërë drejtësi njëlloj për të gjithë”. L.Bakillari