E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Shqipëria zbret tetë vende më 2011, pas vetëm Kosova

SHKRUAN: Habjon Hasani 02-12-2011 14:40

“Transparency International” publikon indeksin global të korrupsionit, ku Shqipëria ka zbritur nga vendi i 87-të në atë të 95-të. Përfshihet në të njëjtin grup me Indinë, Kiribatin apo Tongon

Tiranë Shqipëria zbret tetë vende në indeksin e korrupsionit, duke lënë pas vetëm Kosovën, sa i përket vendeve të rajonit. Raporti i përvitshëm i organizatës “Transparency International” thotë se në perceptimin e shqiptarëve, korrupsioni është rritur në krahasim me një vit më parë, çka rëndon edhe pozicionin e Shqipërisë në renditjen globale. “Shqipëria shënon 3.1 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2011, nga 3.3 që ishte për vitin 2010. Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 95-të, krahasuar me vendin e 87-të në vitin paraardhës, duke zbritur në klasifikim 8 vende”, - deklaroi dje përfaqësia e ‘Transparency International’ për Shqipërinë. Indeksi realizoi përllogaritjen e pikëve për 183 vende e territore, sipas një intervali nga 0 (shumë të korruptuara) drejt 10 (shumë të pastra), bazuar mbi nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. Me këtë indeks korrupsioni, Shqipëria futet në të njëjtin grup me Indinë, Kiribatin apo Tongan. Sipas ekipit të ‘Transparency International’ në Shqipëri, u përdorën të dhëna nga 17 sondazhe, të cilat analizuan faktorë të tillë si zbatimi i ligjeve anti-korrupsion, aksesi ndaj informacionit dhe konflikti i interesit. Kërkimet dhe analizat janë realizuar gjatë periudhës dhjetor 2009-shtator 2011. Në indeksin e renditjes së bërë nga ‘Transparency International’, Shqipëria rezulton nën disa shtete, të cilat kanë përjetuar dhe konflikte sociale në vitin e fundit. Llogaritja e indeksit për Shqipërinë është realizuar nga 7 institucione të pavarura nëpërmjet 8 burimeve të dhënash. Secila nga organizatat ka përllogaritur aspekte të caktuara të problemeve apo jetës shoqërore që lidhen me korrupsionin, ndërsa rezultatet janë përpunuar për të bërë të mundur indeksimin tërësor. Në rajonin e Evropës Juglindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria, vërehet një përkeqësim i dukshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor; me përjashtim të Malit të Zi që ka pasur rritje në pikë (nga 3.7 në 4) me 3 shkallë klasifikimi; duke arritur rezultat të njëjta me Kroacinë, e cila ka pësuar rënie të lehtë në klasifikim. Ndërkohë që vendi i parë në rajon vazhdon t’i përkasë Turqisë me notën 4.2, duke u renditur e 61-ta në klasifikim. Shqipëria renditet vendi i tetë ose i parafundit në rajon, duke lënë prapa vetëm shtetin më të ri të Kosovës. Dy të tretat e vendeve të përfshira në analizë shënuan më pak se 5 pikë. Pikët më të larta në raportin e vitit 2011 i ka marrë Zelanda e Re me 9.5 pikë, e ndjekur nga Finlanda dhe Danimarka me 9.4; dhe Suedia me 9.3 pikë. Ndërkohë, në fund të klasifikimit vazhdojnë të mbeten qeveritë e paqëndrueshme dhe me konflikte të trashëguara, si Afganistani e Mianmar me 1.5 pikë, dhe Somalia e Koreja e Veriut (e përfshirë për herë të parë në indeks) në vendin e fundit, me 1.0 pikë. Vendet e eurozonës të goditura nga krizat e borxhit, pjesërisht për shkak të dështimit të autoriteteve publike u klasifikuan mes vendeve të BE-së me pikët më të ulëta në klasifikim.

TIA: 2011, viti i krizës në qeverisje

Korrupsioni vazhdon të jetë shkatërrues për shumë vende në botë, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Ky indeks tregoi dështimin e shumë qeverive në mbrojtjen e qytetarëve nga korrupsioni, qoftë kjo nëpërmjet abuzimit me burimet publike, ryshfetet apo vendimmarrjet e fshehta. Transparency International e vlerëson 2011-ën si vitin e krizës në qeverisje, duke theksuar se protestat në mbarë botën ishin tregues i zemëratës me korrupsionin në politikë dhe sektorin publik, të nxitura nga mungesa e stabilitetit ekonomik dhe perceptimet e dukshme të qytetarëve mbi mungesën e transparencës së liderëve e institucioneve të tyre publike. “Këtë vit e kemi parë korrupsionin të jetë kryefjalë në pankartat e protestuesve, qofshin këta të varfër apo të pasur. Si në Europën e goditur nga kriza e borxhit, ashtu edhe në botën arabe me fillesat e një epoke të re politike, liderët politikë duhet të përcaktojnë në axhendë kërkesat për qeverisje më të mirë. Për këtë arsye, ‘Transparency International’ bën thirrje për rritjen e përgjegjshmërisë dhe implementimin rigoroz të ligjeve anti-korrupsion, duke kujtuar se përpjekjet në kohë për të përmirësuar transparencën mund të jenë të suksesshme nëse janë të qëndrueshme dhe me përfitim për njerëzit”, - shprehen përfaqësuesit e TIA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›