Vidhnin pensionet e të vdekurve, emigrantëve dhe invalidëve, 3 në pranga
Prokuroria dyshon se përmes firmave false tre punonjës të postës kanë përvetësuar rreth 100 milionë lekë të vjetra. Hetime edhe për drejtuesit e tyre dhe punonjësit e ISSH-së Vlorë
Tre punonjës të postës së Vlorës janë arrestuar dje nga policia pas një hetimi që kishte filluar në maj dhe që, sipas policisë e prokurorisë, ka vërtetuar për ta akuzën e vjedhjes së pensioneve me anë të falsifikimit të firmave. Yllka Gjondeda, Osmen Sulaj, Bernard Axhiaj, janë arrestuar në sajë të operacionit “Postieri”, pasi akuzohen për një vjedhje që varion nga 70 deri në 100 milionë lekë të vjetra dhe, sipas prokurorisë, përfshinte grabitjen përmes falsifikimit edhe të pensioneve të personave të vdekur apo invalidë.
Një nga titullarët e prokurorisë ka treguar sesi kanë investiguar për të tre punonjësit e postës shqiptare që nga muaji maj deri në tetor. Sipas tij, më e spikatur ka qenë punonjësja e postës së Vlorës ‘Vlora “1, e cila ka bërë dublikatat me emrat e 375 pensionistëve dhe ka marrë prej kësaj 7 milionë lekë të reja. Sipas prokurorisë, skema ka qenë e thjeshtë, pasi një person ka tërhequr njëherë pensionin e tij mujor, punonjësja e tërhiqte edhe një herë të dytë pensionin për të dhe figuron që ai është paguar dy herë brenda të njëjtit muaj. Punonjësja e postës, pa dijeninë e tij, bënte tërheqjen e dytë, duke falsifikuar nënshkrimin.
“Lekët që janë vjedhur i përkasin pensionistëve që janë jashtë shtetit, pasi këto lekë ngeleshin pa u shpërndarë dhe nëpërmjet dublikimit të emrave të atyre që tërhiqnin pensionin përvetësoheshin nga punonjësja e postës Yllka Gjondeda. Shuma që mendohet të jetë vjedhur nuk është saktësuar, por mund të jetë rreth 70 deri në 100 milionë lekë të vjetra”, bënë me dije burime të prokurorisë. Dyshohet se mund të jenë tërhequr edhe pensionet e personave që ndodhen jashtë shtetit, duke i falsifikuar listat e borderove.
Të njëjtin dyshim shpreh edhe një prokuror i prokurorisë së Vlorës i cili saktëson se ata kanë konstatuar se edhe në Komunën Sevaster dhe Vllahinë, punonjësit e postës të ngarkuar me shpërndarjen e pensioneve kanë falsifikuar nënshkrimin e disa pensionistëve, duke tërhequr pensionin e invaliditetit. “Gjatë hetimeve kemi konstatuar që është tërhequr edhe pensioni i personave që kishin vdekur për disa vite”, thotë prokurori.
Ndërkohë Prokuroria e Vlorës është duke hetuar edhe lidhjet e këtyre punonjësve me arkëtaret dhe punonjësit e institutit të sigurimeve shoqërore, që bënte rakordimin e fondeve dhe emrave të pensionistëve, si dhe drejtuesve të postës Vlorë dhe sigurimeve shoqërore që kanë marrë dijeni dhe nuk kanë denoncuar shkeljet penalisht, këta të fundit për moskallëzim krimi. Dy nga punonjësit kanë pranuar faktin e vjedhjes dhe kanë tentuar të shlyejnë një pjesë të dëmit të shkaktuar, ndërsa punonjësi i postës Vllahinë nuk ka pranuar asgjë.
Të arrestuarit
Yllka Gjondeda, 55 vjeç, banuese në Vlorë, punonjëse e zyrës postare (karteliste) “Vlora 1”, dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të nënshkrimeve të 375 pensionistëve në listëpagesat e pensioneve dhe dublikimit të tyre, gjatë periudhës maj – shtator 2011 ka përfituar shumën prej 7 milionë lekë (të reja), çka ka rezultuar nga dokumentacioni i sekuestruar në zyrat e Postës Shqiptare.
Bernard Axhiaj, 24 vjeç, banues në fshatin Sevaster të Rrethit Vlorë, punonjës (arkëtar) në Zyrën Postare të Komunës Sevaster, nga muaji shkurt 2010, deri në muajin tetor 2011 nëpërmjet falsifikimit të nënshkrimit ka tërhequr nga Dega e Financës së Postës Shqiptare në emër të shtetases R.K., shumën prej 164.030 lekë (të reja), ndërkohë që kjo shtetase rezulton e vdekur në datë 20.11.2010.
Osmen Sulaj, 42 vjeç, banues në fshatin Lubonjë, punonjës i Zyrës Postare në Komunën Vllahinë të Rrethit Vlorë, ka përvetësuar shumën prej 72.000 lekë (të reja) në emër të shtetasit I.B., (pensionet e paaftësisë dhe kujdestarisë për dy fëmijët e tij të sëmurë) për muajt prill dhe maj 2011, duke falsifikuar firmën e shtetasit I.B., në borderotë e shpërndarjes së pensioneve.