E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zhduket” Kumbaro, gjykata lëshon urdhër-arrest

Ilir Kumbaro ka munguar në seancën e djeshme në gjykatën e Londrës, ndërsa avokati nuk ka dhënë asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Shpallet në kërkim në aeroporte dhe stacione, konfiskohet garancia 10 mijë paund

Një urdhër-arrest është lëshuar për ish-shefin e SHIK-ut, Ilir Kumbaron, i kërkuar për torturë dhe rrëmbim personi, pasi ai nuk u paraqit dje në një gjykatë të Londrës. 58-vjeçari Kumbaro, i cili ia doli të fitonte azil politik përmes identitetit të rremë, mungoi dje në një seancë dëgjimore për ekstradimin e tij në Gjykatën e Westminster, duke vendosur në alarm aeroportet dhe pikat e tjera kufitare të Britanisë së Madhe. I kërkuar nga Shqipëria për torturat dhe rrëmbimin e tre personave, mes të cilëve edhe Remzi Hoxhën, Ilir Kumbaro mbërriti në Britani duke pretenduar se ishte refugjat kosovar në gusht të vitit 1996. I fshehur nën emrin e Shaqa Shatrit, Kumbaro u diktua pasi vendosi emrin e tij të vërtetë në një aplikim për ndihmë sociale në vitin 2008. Ai u përpoq ta fshinte atë, por ishte mjaftueshëm për të vënë në dijeni policinë, e cila e arrestoi atë, edhe pse ngulmonte se ishte Shaqa Shatri. Autoritetet shqiptare kërkuan ekstradimin e tij, por një mori hilesh ligjore e lejuan atë të qëndronte në Britani. Më 2 shtator 2008, detektivët e Scotland Yardit arrestuan Kumbaron, i cili vazhdonte ta quante veten Shaqa Shatri. Përballë gjykatës ai tha: ”Unë nuk jam Ilir Kumbaro, jam Shaqa Shatri”. Asokohe, ai u tha policëve se jetonte me kushërirën Naxhie Axemi dhe mikun Ervin Kumbaro. Dy javë pas kësaj deklarate, Interpoli zbuloi se Kumbaro kishte një djalë të quajtur Ervin, i lindur më 1980-ën dhe gruaja e tij, e quajtur Vjollca, ngjante në fotografi me gruan të cilën ai e kishte prezantuar si kushërirën me emrin Naxhie. Prokurori Clair Dobbin kërkoi lëshimin e urdhrit të arrestit, pas mungesës së Kumbaros në seancën e djeshme. “Zoti Kumbaro nuk mori pjesë, kështu që është e qartë që ne duhet të kërkojmë një urdhër-arrest, duke parë edhe natyrën e çështjes. Nuk është sekret që zoti Kumbaro ka qenë një ndër drejtuesit e shërbimit sekret shqiptar. Kjo nuk është një çështje e zakonshme ekstradimi”,- tha prokurori. John Jones, përfaqësuesi i Kumbaros, tha në gjyq se ai kishte pasur një bisedë telefonike me klientin e tij në orën 18:30, pra më pak se 24 orë para se ai të paraqitej në gjyq. “Jam komplet i hutuar nga mungesa e tij dhe po bëhen kërkime në shtëpi e në spitale se mos ai është i sëmurë”,- ka thënë avokati. Ai ka shtuar se Kumbaro nuk kishte refuzuar asnjëherë më parë për t’u dorëzuar. Nga ana e tij, gjyqtari ka miratuar urdhrin e arrestit dhe ka shtuar se garancia prej 10 mijë paundësh do të konfiskohej. Marrë nga “Daily Mail”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›