E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri për marrëveshjet: Mospranimi çonte në izolim

Sikur Kosova të mos i pranonte marrëveshjet e arritura në Bruksel, do të zgjidhte izolimin ndërkombëtar. Kështu ka deklaruar në një intervistë të dhënë për shtypin e shkruar, kryenegociatorja kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri. Edhe Tahiri pranon se fusnota nuk është e pëlqyeshme as për Qeverinë e Kosovës, por sipas saj, ishte zgjidhja e vetme. Tahiri thotë se fusnota është pranuar si opsion i përkohshëm me premtimin e Brukselit, që do të punojë që 5 vendet e Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, do ta bëjnë një gjë të tillë. Ajo thotë se angazhimi i Qeverisë është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të deritanishme. Tahiri insiston duke thënë se dialogu politik është kapitull i mbyllur, ndërsa apelon të gjithë diplomatët që po kërkojnë dialog politik për veriun,se temat e tilla përfshijnë gjithë rajonin, dhe kjo nënkupton prekje të kufijve. Arrestimi i policëve kosovarë nga autoritetet serbe, sipas saj, tregoi fytyrën joeuropiane të Beogradit. Më herët, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova do të përfitojë nga marëveshjet me Serbinë, deklaratë e dhënë pas vizitës së tij në Uashington, ku u rikonfirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›