Tahiri priti biznesmenë nga Bursa

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti sot kryetarin e Shoqatës së biznesmenëve RUMELİSİAD, Şahap Aktaş, i shoqëruar nga delegacioni i grave të kësaj shoqate.
Tahiri inkurajoi biznesmenët nga qyteti i Bursës, në veçanti ata me origjinë shqiptare, që të investojnë në vendin tonë, “sepse Kosova si shtet i ri ka potenciale të mëdha njerëzore dhe resurse të shumta ekonomike”.
“Krenohemi dhe frymëzohemi me shqiptarët tanë në Turqi, të cilët nuk e harruan origjinën dhe gjakun shqiptar, ndonëse u larguan nga trojet e tyre shumë kohë më parë”, theksoi zëvendëskryeministrja.
Aktaş shprehu kënaqësinë për vizitën, duke treguar se është me origjinë shqiptare dhe se familja e tij ishte detyruar të largohet për në Turqi në vitin 1924. Ai theksoi angazhimin e shoqatës që përmes anëtarëve të saj nga sektori i biznesit të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik e social të shtetit të Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit./Indeksonline/