E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri:Kosova duhet të ketë përfitime nga bisedimet

Disa ditë para nisjes së raundit të dytë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe shefja e delegacionit, Edita Tahiri, ka thënë se shteti që nuk njihet nga pesë vendet anëtare të BE-së, ka kërkuar avancimin konkret.
 

"Kosova duhet të ketë përfitime ashtu si dhe Serbia. Ne kemi kërkuar që nga ky proces të lehtësohet çështja e liberalizimit të vizave, çështja e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, me fjalë të tjera nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe kemi kërkuar shpejtim të statusit të kandidatit. Kur kemi kërkuar këtë, kemi arsyetuar me faktin se Kosova po vonohet pa fajin e vet", ka thënë Tahiri.

Kryesuesja e ekipit kosovar ka shpjeguar se BE-së po i duhet më shumë kohë në raport me Kosovën.
 

"Në raport me Kosovën, BE-ja ka nevojë edhe për pak kohë derisa të ndërtojë një konsensus të brendshëm në raport me atë se çfarë do të përfitojë Kosova", ka thënë Tahiri. Megjithatë, sipas saj, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga konstruktiviteti në dialog. "Unë po ju them se Kosova do të fitojë nëse jemi konstruktivë", ka theksuar Tahiri.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›