Tahiri:Kushtetuta,garant për zhvillimin e vendit
Kryetarja e ADK-së, Edita Tahiri vlerëson se viti 2008 ishte një vit historik për Kosovën dhe qytetarët e saj, vit që shënoi shumë arritje të rëndësishme për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Mirëpo sipas saj, mbeten akoma edhe shumë punë për t'u bërë në të ardhmen, në veçanti në planin e njohjeve, të konsolidimit të sovranitetit në fushën e sigurisë, ekonomisë, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit e etj "Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e fuqishme nga fuqitë botërore është një nga të arriturat historike të vendit tonë. Ky ishte realizim i një nga synimet më madhore kombëtare, e cila erdhi si rezultat i një angazhimi të përgjithshëm dhe plot sakrifica të lëvizjeve të shqiptarëve për vetëvendosje. Me këtë rast ADK falënderon gjithë vendet që e njohën pavarësinë e Kosovës, SHBA-të, Shqipërinë, vendet anëtare të BE-së të G8-shes, vendet e rajonit dhe më gjerë", theksoi Tahiri. Ajo tha se Kushtetuta e Kosovës është garant për zhvillimin e Kosovës si shtet demokratik dhe i së drejtës ku gjithë qytetarët dhe minoritet do të gëzojnë jetë të dinjitetshme dhe të mundësive të barabarta për prosperitet. Diplomatja kosovare theksoi se siguria kombëtare duhet të fuqizohet në veçanti për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.