E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, dalin para gjykatës në Beograd

Beograd -Nëntë shqiptarë, pjesëtarë të ish-UÇK-së kanë dalë dje para Gjykatës në Beograd. Shqiptarët, banorë në Luginën e Preshevës akuzohen se kanë kryer krime lufte ndaj popullsisë serbe në tri zona të komunës së Gjilanit gjatë vitit 1999. Edhe një tjetër i arrestuar në aksionin e policisë serbe në Preshevë, ndodhet në stacionin policor në Vranjë dhe do të merret në pyetje nga prokuroria e Preshevës. Familjarët e ish-ushtarëve të UÇK-së të arrestuar në Preshevë kanë bërë të ditur se janë dhunuar nga policia serbe në shtëpitë e tyre gjatë arrestimit të të afërmve.

Fëmijët dhe gratë thanë se ishin të shokuara nga ajo që kanë parë. Tashmë në mes tyre ka frikë dhe pasiguri, ndërsa tregojnë se kanë pësuar vetë edhe trauma fizike dhe mendore. Arrestimi i ish-ushtarëve të UÇK-së është dënuar nga klasa politike shqiptare në Luginë, në Kosovë e Maqedoni.

Kryetari i Kuvendit te Kosovës, Jakup Krasniqi, i cilësoi arrestimet e fundit në Luginën e Preshevës si brutale, ndërsa akuzoi Beogradin se nuk është shkëputur ende nga politika e terrorit dhe e gjenocidit. “Arrestimet e fundit janë në funksion të frikësimit të popullsisë shqiptare në Luginë”, - u shpreh Krasniqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›