Tajfuni “Roke” përshkon Japoninë

Një tajfun i plotfuqishëm ka goditur Japoninë, duke sjellë shira të dendura dhe përmbytje që deri tani kanë vrarë pesë persona.
Tajfuni “Roke” aktualisht po i afrohet Fukushimës, ku inxhinierët vazhdojnë përpjekjet për të vendosur centralin bërthamor nën kontroll, pas tsunamit të muajit mars.
Stuhia, me erëra që arrijnë 162 kilometra në orë, kaloi në Tokio duke lënë në këmbë dhjetra mijëra banorë për shkak të pezullimit të lëvizjes së trenave dhe avionëve.
Tajfuni goditi fillimisht të mërkurën Hamamatsun, duke bllokuar rrugën që të con në ishullin e rëndësishëm të Honshut.
Stuhia aktualisht është rrugës për në prefekturën e Fukushimës dhe pritet të vazhdojë drejt bregut veri-lindor, që u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe tsunami i 11 marsit.
Korrespondenti i BBC në Tokio deklaron se pellgje të mëdha me ujë radioaktiv vazhdojnë të jenë të pranishme në impiantin bërthamor dhe autoritetet janë të shqetësuara nga mundësia që erërat dhe shirat mund t’i cojnë ato drejt detit, ose t’i përzjejnë me ujërat nëntokësore.
Një zëdhënës i kompanisë që menaxhon impiantin, Tepco, tha se po merret cdo masë e mundshme për të parandaluar dëmet që mund të shkaktojë tajfuni.