E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tajfuni godet Japoninë, trembëdhjetë të vdekur

Shirat filluan të dielën në prefekturën e Hyogos, ku është regjistruar numri më i madh i viktimave, dhe gjithashtu në prefekturën fqinjë të Okayamas.

Policia ka regjistruar deri tani 13 të vdekur dhe një numër të papërcaktuar të zhdukurish. "Ne po bëjmë maksimumin për të organizuar ekipet e ndihmës  dhe për të mësuar nëse ka të zhdukur të tjerë", shpjegoi një zëdhënës i policisë së Hyogos.

Ndër viktimat, një burrë u gjet në automjetin e tij të përmbytur nga ujërat, ndërsa një grua u gjet në një kanal kullimi të fryrë nga ujërat e shiut.

Televizionet treguan pamje të ekipeve të kërkimit përreth shtëpive të shkatërruara në Sayocho, në prefekturën e Hyogos, ku një lum kishte dalë nga shtrati, duke shkatërruar mure e duke marrë me vete makina gjatë kalimit të tij. 

"Ishte e frikshme. Niveli i ujit rritej me një zhurmë shurdhuese", tregoi një banor i Sayochos në televizionin publik NHK. "Ka më shumë se 60 vjet që jetoj këtu dhe nuk e kam parë kurrë diçka të tillë".

Afro 480 shtëpi janë përmbytur dhe më shumë se 2 000 persona janë evakuuar në Hyogo, njoftuan drejtues lokalë.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›