Takim dy-ditor i ministrave të NATO-s në Bruksel
Ministrat e NATO-s janë mbledhur në Bruksel për dy ditë bisedime ku përfshihen aspiratat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim. Të dërguarit do të diskutojnë gjithashtu nevojat e NATO-s në Afganistan dhe strategjitë për marrëdhëniet me Rusinë pas konfliktit me Gjeorgjinë.
Takimi pritet të inkurajojë si Gjeorgjinë dhe Ukrainën për zbatimin e reformave ekonomike e politike për t'u anëtarësuar në aleancë. Megjithatë ministrat nuk pritet t'i ofrojnë asnjë vendi planveprimin e anëtarësimit në këtë takim.
Presidenti gjeorgjian Mihail Sakashvili i bëri thirrje sot perëndimit të mos i kthehet marrëdhënieve normale me Rusinë pa kërkuar llogari për operacionet e saj ushtarake në gusht.
Zoti Sakashvili e bëri thirrjen në gazetën The Uoll Strit Xhornëll, që përkon me bisedimet e NATO-s dhe bisedimet e BE-së për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë. (ze)