Bursat në Evropë rimarrin veten, në Azi rënie të ndjeshme
Tregjet e aksioneve në Evropë po e rimarrin veten, pas rënies së ndjeshme në tregjet e Azisë. Ndërkohë, tregjet e aksioneve në Amerikë pritet të hapen në territor pozitiv.
Tregjet në Azi ranë shumë pas parashikimit të Kombeve të Bashkuara se recesioni në botë do të përkeqësohet gjatë vitit të ardhshëm. Edhe çmimi i naftës ra në nivelin më të ulët në 3 vjet, ndërsa investitorët reaguan ndaj kërkesës së ulët.
Raporti i Kombeve të Bashkuara i publikuar dje thotë se rritja ekonomike botërore duket se do të bjerë deri në 1 përqind vitin që vjen, nga 2,5 përqind këtë vit, si rezultat i krizës globale financiare.
Indeksi Najki i Tokios u mbyll me një humbje prej mbi 6 për qind. Edhe indeksi Seng i Hong Kongut u mbyll me gati 5 për qind humbje. Tregjet e aksioneve në Evropë u hapën me humbje, por e rimorën veten, duke kaluar në territor pozitiv.
Banka Qëndrore e Australisë i uli interesart me 1 për qind, më shumë se sa pritej me shpresë që të rikthehet besimi i konsumatorëve dhe bisneseve. Kjo është ulja e katërt e interesave në Australi gjatë 4 muajve të fundit. Ekonomia australiane ka qënë në gjendje të shmangë recesionin, që ka goditur Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Japaninë, por zhvillimi i saj ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit. (ze)