E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim me historinë në teatrin dokumentar

E. Demo

Teatri i Metropolit nisi dje një seri shfaqjesh të teatrit dokumentar i quajtur Takim me historinë. Periudha 1945-90, ngjarjet me pasoja dramatike në jetën e qytetarëve e veçanërisht intelektualëve të vendit që u dënuan, burgosën edhe pushkatuan në disa raste edhe pa gjyq, është në fokus të këtyre takimeve që thërrasin gjithashtu në ndihmë mjetet e teatrit. Mbrëmja e parë e 24 shkurti iu kushtua ngjarjes së bombës në Ambasadën Sovjetike. Më 19 shkurt, ora 17 e 47  minuta u hodh në oborrin e ndërtesës së Ambasadës Sovjetike një sasi e vogël dinamiti me potencial të reduktuar.

Një krisje e fortë dhe disa xhama të thyer. Alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politikë të Tiranës. Shqetësimin në Ambasadën Sovjetike të Tiranës dhe në ministrinë e jashtme të BS. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiloi listën e personave që duheshin arrestuar me akuzën: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste duke u bërë agjentë të rregullt të tyre. Kanë furnizuar spiunazhet e huaja më informata me karakter sekret ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të Republikës sonë Popullore. Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parrulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë dhe satelitëve të tyre.

Vendimi për ti dënuar me vdekje 21 intelektualë ekzekutohet më 26 shkurt 1951 afër Urës së Beshirit në fshatin Mënik të Tiranës, rrëze një kodrinë të vogël buzë Erzenit. pushkatohen: Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli (vdekur nën hetim), Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Fotografi, dokumente arkivore, intervista, komente që kulmojnë me dëshminë e një dëshmitareje okulare, Diti Biçaku që tregon, në moshën 86-vjeçare, sa mban mend nga takimi i fundit me Sabiha Kasimatin, e vetmja grua ndër të pushkatuarit e 26 shkurtit.

Takimet janë ideuar nga gazetarja Violeta Murati dhe pedagogia e Fjalës Artistike në UA Sonila Kapidani. Ideatoret shprehen se qëllimi i ciklit është nxjerrja nga harresa e historive tronditëse të ndodhura nën diktaturë. Pavarësisht se ngjarje të tilla njihen nga publiku, edhe pas 20 vitesh nuk është arritur sensibilizimi masiv qytetarëve për krimet e komunizmit.

Lënda dokumentare del nga arkivi i Institutit të Studimeve, Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Sonila Kapidani ka punuar me monodramën Qen.. i bir i qenit i Ferdinand Hysit, për të sjellë nëpërmjet elementeve të teatrit një aspekt të terrorit psikologjik të diktaturës mbi individin. Elementet koreografikë janë përgatitur nga Arjan Sukniqi.

Për Suela Konjarin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore Tirana ku do të organizohen në vazhdim këto takime, kjo është përpjekja jonë si artistë për të ofruar ndihmesën tonë, në rehabilitimin dhe nderimin e këtyre personaliteteve intelektuale, të persekutuar gjatë regjimit komunist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›