E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtimi i telefonatave nga jashtë, nis hetimin Autoriteti i Konkurrencës

Emirjon Senja

Shtrenjtimi i tarifave të terminimit për thirrjet nga jashtë me 3.2 herë duke filluar nga data 1 shkurt ka bërë që në lojë të hyjë edhe Autoritetit i Konkurrencës. Mësohet se ky institucion ka filluar dje procedurat për nisjen e një hetimi në tregun e kompanive të telekomunikacionit për të parë nëse kemi të bëjmë me një marrëveshje të fshehtë për rritjen e organizuar të çmimeve të tarifave të terminimit. Hetimi nis pas publikimit të kësaj problematike në gazetën Shekulli prej tre ditë më radhë. Lajmi për nisjen e procedurave të hetimit konfirmohet për gazetën nga një prej anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës.

Shekulli trajtoi për tre ditë me radhë shtrenjtimin që kanë pësuar tarifat e terminimit për thirrjet nga jashtë, nisur nga një vendim i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për derregullimin e këtyre tarifave. Vendimi në fjalë është marrë në fund të vitit të shkuar nga Këshilli Drejtues i AKEP. Vendimi për liberalizimin e tarifave të terminimit prek më së shumti emigrantët shqiptarë që ndodhen jashtë shtetit, të cilët telefonojnë familjet e tyre, por edhe ata që janë me studime apo për qëllime të tjera jashtë kufijve të vendit.

Tarifa e terminimit është çmimi i shërbimit që një operator ia ofron atë një operatori tjetër. Në rastin e telefonatave nga jashtë, tarifa e terminimit i paguhet nga operatorët telefonik të shteteve nga fillon thirrja tek kompanitë shqiptare të telefonisë celulare, të cilat mundësojnë që abonenti i kompanisë së huaj të realizojë thirrjen në Shqipëri.

Tarifat e terminimit të thirrjeve nga jashtë përcaktoheshin deri më datë 1 shkurt nga AKEP. Vendimi i fillimit të shkurtit ka hequr këtë detyrim duke ia lenë operatorëve celularë në dorë që të përcaktojnë çmimin me të cilin kompania pritëse e telefonatës ia mundëson kryerjen e saj klientit të kompanisë nga nis telefonata. Më parë, kompanitë pritëse të telefonatës nga jashtë shtetit, në rastin tonë, kompanitë celulare, aplikonin tarifa terminimi 7.75 lekë në minutë ndaj operatorëve nga nisej thirrja, por edhe operatorëve të tjerë që bëjnë ndërmjetësin në disa raste.

Cili ishte shkaku që detyruan AKEP të liberalizonte çmimet e tarifave të terminimit? Gjatë periudhës kur tarifat ishin të rregulluara, të cilat nuk mund të shkonin mbi një çmim maksimal. Gjatë kësaj periudhe, nisi një konkurrencë e madhe midis kompanive të mëdha me njëra-tjetrën dhe kompanive të vogla (interneti dhe platformat dixhitale) duke ulur në maksimum çmimet, rrjedhimisht edhe fitimet e tyre. Përballë kësaj situate, kompanitë e mëdha i kërkuan AKEP-it që të rishikonte çmimet. Ulja e fitimeve të kompanive përkthehet në drejtpërdrejtë në ulje të tatimit që paguajnë ato në arkën e shtetit. Kjo është një ndër arsyet se përse autoritetet pranuan të liberalizojnë tarifat e terminimit duke sjellë rrjedhimisht edhe shtrenjtimin e tyre, e cila ka rritur koston e telefonatave të emigrantëve shqiptarë që thërrasin familjet e tyre në Shqipëri. Gazeta do të ndjekë më vëmendje zhvillimin e hetimeve nga AKEP duke publikuar rezultatet e tij.

Si lëvizën çmimet

Pas datës 1 shkurt, kosto e terminimit të një minuti telefonatë nga jashtë u rrit nga rreth 7.57 lekë në rreth 22.5 lekë pas aplikimit të tarifave të reja. Vetëm njëra ndër kompanitë celulare ka pranuar të mbajë një çmim prej 17.5 lekë/minuti.

Vendi ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh jashtë vendit. Shifrat zyrtare tregojnë se numërohen rreth 1.1 milionë të tillë në të gjithë botën, por ka shumë prej tyre që punojnë në shtete të caktuara duke mos figuruar në dokumente. Krahas emigrantëve, jashtë shtetit ndodhen edhe një numër i madh studentësh, të cilët gjithashtu duhet të përballen me rritjen e kostos së telefonatës me familjen e tyre.

Një ndër arsyet se përse AKEP pranoi të hiqte kufizimet mbi tarifat e terminimit ishte ulja e të ardhurave të kompanive celulare. Nga operatorët e mëdhenj në RSH, është argumentuar se një ndër faktorët kryesorë që kanë çuar në rënien e ndjeshme të të ardhurave të tregut të komunikimeve elektronike ka qenë pikërisht rregullimi i tarifës së këtyre thirrjeve dhe reduktimi i ndjeshëm i tyre. Reduktimi i të ardhurave të sektorit ndikon negativisht edhe në stimujt e operatorëve për investime në rrjete dhe shërbime të reja, – shpjegon AKEP në vendimin e tij. Mësohet se kompanitë celulare patën më pak se 20 miliardë lekë fitim gjatë vitit 2010, shifër kjo më e vogël krahasuar me vitin 2009.

Kompanitë: Përse nuk përfitonin emigrantët me tarifat e mëparshme

Në reagimin e marrë pas publikimit të rritjes së tarifave të terminimit, kompanitë celulare kanë shpjeguar se liberalizimi i tyre u kërkua pasi mbajtja e çmimeve të ulta deri më tani nuk ishin në shërbim të emigrantëve por të kompanive të huaja celulare. Përse nuk përfitojnë abonentët fundor nga ulja e tarifave sipas kompanive? Për tu zhvilluar një thirrje telefonike duhen minimumi dy operatorë, ai nga niset telefonata dhe pritësi. Çmimet, me të cilat kompanitë e huaja ia mundësojnë telefonatat për jashtë shtetit klientëve të tyre variojnë sipas politikave të kompanisë dhe jo vendimeve të enteve rregullatore të shteteve për ku është nisur . kështu, mund të ndodhë që një kompani e caktuar të mos pasqyrojë uljen e çmimeve tek klietët e saj që bëjnë thirrje drejt vendin tonë duke bërë kështu që tarifat e ulta të terminimit të rrisin përfitimet e tyre dhe jo ato të abonentëve.

Dështon ankandi për 3G-në, kompanitë sjanë dakord me çmimin fillestar

Dështon ankandi për shitjen e licencës së tretë 3G në Shqipëri. Edhe pse çmimi minimal, nga i cili mund të fillonin ofertat e kompanive ishte 12.5 milionë euro, Eagle Mobile dhe PLUS ofruan dje çmime disa herë më të ulta. Pas hapjes së ofertave, u mësua se kompania Eagle Mobile ka dhënë një çmim prej 3.55 milionë euro, kurse PLUS ofroi 2.2 milionë euro. Një gjë e tillë bën që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ta shpallë të dështuar tenderin.

Duke parë ofertat në fjalë duket se kompanitë kanë dashur ti japin një mesazh të fortë qeverisë se nuk mund të vijohet më me të njëjtin çmim kur deri më tani janë lëshuar edhe dy licenca të tjera 3G dhe tregu nuk është më i njëjti si më parë. Ja si e komenton njëra kompani, ofertën e dhënë: Ne konsiderojmë se barrierat për hyrjen në treg duhet të jenë në raport të drejtë me çmimet e mundshme fundore të këtij shërbimi – deklaroi Drejtori Ekzekutiv i PLUS, Moni Buchnik, duke theksuar se një rikonsiderim i kësaj çështje në përshtatje me kushtet aktuale të tregut të telefonisë së lëvizshme nga autoritetet do të ishte zgjidhja më e mirë për tregun dhe konsumatorët. Deri më tani, nuk ka ende asnjë koment nga kompani tjetër në garë, Eagle Mobile

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›