E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i kryeministrisë në prokurori për serverin e fshirë

Flamur Vezaj

TIRANË- Kopjimi dhe fshirja e pamjeve filmike të demonstratës së 21 janarit 2011 nga serveri qendror i kamerave të sigurisë që ndodhen në ndërtesën e Këshillit të Ministrave nga punonjësi i këtij institucioni, i dyshuari Armando Kasaj, dërguar në prokurori Sekretarin e Përgjithshëm të kryeministrisë, Gjergj Lezhja. Ka qenë ora 12:00 e së enjtes, kur ish-zv/ministri i Brendshëm, Lezhja ka zbritur nga makina vetëm pak metra nga hyrja kryesore e Prokurorisë së Rrethit Tiranë, për tu paraqitur në zyrën e prokurorit të task-forcës, i cili prej muajsh po heton autorësinë e kopjimit dhe fshirjes së këtyre pamjeve. Mësohet se sekretari i kryeministrisë Lezhja, është paraqitur pranë institucionit të akuzës me kërkesë të prokurorit të çështjes për tu marrë në pyetje në lidhje me dijeninë që ai ka për kopjimin dhe fshirjen e pamjeve filmike. Por, edhe pse Lezhja ishte paraqitur në prokurori me cilësinë e personit që ka dijeni, prokurori i çështjes nuk ka mundur të marr deklarimet e tija, Lezhja mësohet se ka kërkuar një ditë tjetër për të bërë deklarimet e tija, pasi atë ditë nuk kishte kohë.

Vetë prokurori i çështjes, i konsultuar me drejtuesin e tij, mësohet se ka rënë dakord për këtë kërkesë të ish-zv-ministrit Lezhja, duke caktuar edhe një datë tjetër. Në orët e mbrëmjes së djeshme, vetë Lezhja i kontaktuar nga Shekulli për paraqitjen në prokurori, është shprehur ndër të tjera se nuk është e vërtetë që kam qenë në prokurori. Por, këtë fakt burimet pranë organit të akuzës e hedhin poshtë, duke konfirmuar paraqitjen e tij mesditën e së enjtes ku është larguar vetëm pak minuta më pas. Për llogari të procedimit penal të regjistruar nga Task-Forca, për dyshimin e kryerjes së veprave penale të Shpërdorimit të detyrës dhe Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës pasi ditën e 21 janarit 2011 kanë kopjuar dhe fshirë pamjet pamje filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë, prokurori ka thirrur me cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen shtetasin Gjergj Lezhja me detyrë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ky i fundit, është thirrur për të sqaruar nëse kishte dijeni për kopjimin dhe fshirjen e pamjeve filmike, për të cilat dyshohet punonjësi i tij Armando Kasaj si dhe për refuzimin që i ka bërë prokurorisë për ti dorëzuar këto pamje,- thanë burimet e prokurorisë.

Ata thanë se Lezhja duhet të sqarojë përse ka deklaruar më parë se kamerat nuk funksiononin më 21 janar. Deklarata kontradiktore e Lezhjës do të ballafaqohet me dokumentet, thëniet e dëshmitarëve të tjetë si dhe me ekspertizën e kryer nga Byroja Federale e Hetimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›