E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim për shpalljen e shikimit publik të kadastrit të ndërtesave

Drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Abaz Llugaliu dhe përfaqësuesi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Faik Kelmendi si dhe menaxheri i kompanisë “Geo project”, Zekerija Elezi, në një takim në Podujevë diskutuan për shpalljen e shikimit publik të kadastrit të ndërtesave, në mënyrë që qytetarët të informohen për këtë aktivitet të rëndësishëm, e në veçanti për ata të cilëve u është regjistruar prona e tyre.

Llugaliu tha se është finalizuar projekti “Kadastri i ndërtesave - qyteti Podujevë”, implementimi i të cilit kishte filluar më 1 shtator të vitit të kaluar.

“Ky projekt u financua me pjesëmarrje prej 75 për qind nga Banka Botërore dhe me 25 për qind nga Qeveria e Kosovës. Komuna e Podujevës është njëra nga 5 komunat e Kosovës që është e përfshirë në këtë projekt. Implementimin e tij e ka bërë kompania ‘Geo project’, kurse menaxhimi është bërë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.

Ndërkaq menaxheri i kompanisë implementuese, Zekerija Elezi informoi të pranishmit për të dhënat statistikore të projektit.

“Kemi pranuar 173 aplikime të qytetarëve për regjistrimin e banesave. Gjithsejtë kemi trajtuar 107 objekte për regjistrim, ku nga to janë 62 objekte institucionale, 8 objekte të reja dhe 37 të vjetra”, ka thënë Elezi.
Në takim morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit Komunal për Regjistrimin Kadastral të Banesave, të cilët dhanë kontributin e tyre në të mirë të këtij projekti./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›