E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimet Berisha-Klinton dhe Rama-Nano, shkaktojnë debat në Kuvend

27-04-2012 / Gazeta 55

Topalli: Edhe Edison Konomi me dy mandate, të japë dorëheqjen


Takimi i kryeministrit Berisha me sekretaren amerikane të Shtetit Hilari Klinton dhe ai të enjtes mes Fatos Nanos me Edi Ramën, u përcollën mes batutash në seancën plenare të kësaj jave. Takimi Nano – Rama nisi ndërsa në seancë po shqyrtoheshin disa ndryshime në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Kryeparlamentarja Topalli dhe deputeti Socialist Balla shkëmbyen këto reagime. “Berisha takon Hillarin, Rama takon Nanon. Hillari i thotë po vij, Rama i thotë atij mos hajde. A ka ditë më të bukur se sot? Çlirohuni çfarë keni? Se kuptoj se çfarë keni ju?”, iu drejtua kryetarja e Kuvendit, deputetëve të opozitës. Kuvendi ka hyrë tashmë në tremujorin e radhës të punës së tij, ku, natyrshëm, zgjedhja e presidentit të ri të vendit ka vëmendjen kryesore. Ndërsa nisja e procedurës është rreth një muaj larg, emrat më të përfolur për kryetarin e ri të shtetit janë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli një ndër drejtueset e larta në Partinë Demokratike e cila ka shumicën e votave në Kuvend. I dyti është Fatos Nano, i cili duhet të sigurojë fillimisht 20 firma deputetësh, që të futet në garë, për çka ka nisur fushatën e tij të takimeve me drejtuesit e forcave politike parlamentare. Socialistët në seancë debatuan me kryetaren e Kuvendit dhe për mos përfshirjen në kalendar të nismave të tyre, si dhe për mos mbledhjen e këshillit të mandateve për të konfimuar Edison Konomin deputet, pas dorëheqjes së Rudina Seserit dhe Gjon Bardhit. Topalli sqaroi se nuk ka asnjë zvarritje. Sipas saj, deputeti i ri ka edhe një mandate, sipas saj antikushtetues si anëtar i këshillit bashkiak të Durrësit. “Administrata i ka dërguar letër Këshillit Bashkiak të Durrësit që Edisoni të dorëzojë mandatin si anëtar i këtij këshilli. Pasi të dorëzojë ai këtë mandate do mblidhet Këshilli i rregullores dhe pastaj sipas procedurave do ulet në sallën e Kuvendit”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›