Investigimi/Edi Rama pendohet brenda ditës për firmën e reformës, i druhet hapësirës që do t’u lërë aleatëve
Pak gjasa ka që Edi Rama të respektojë ndonjë marrëveshje, pavarësisht pretendimeve, me ish aleatët e Partisë Socialiste, në një kohë kur po nisin përgatitjet e para për zgjedhjet e ardhshme, ato parlamentare të 2013-ës. Puna ka nisur nga reforma e Kodit Zgjedhor ku edhe është përqendruar e gjithë vëmendja e faktorit politik. Kjo ka nxitur dhe reagimin e partive të vogla, të cilat të ndodhura në presionin e pragut elektoral, i cili i bën automatikisht të dobëta në garën parlamentare, po insistojnë në korrektimin e sistemit dhe zgjerimin e aleancave politike me dy partitë e mëdha.
Pak ditë më parë, Edi Rama u zu ngushtë në një tryezë të organizuar nga krerët e partive të vogla parlamentare dhe jo- parlamentare dhe krahas debateve, përplasjeve verbale ku nuk munguan as ironitë, me gjysmë zëri u premtoi ish aleatëve se do të firmoste propozimin e tyre për korrektimin e sistemit zgjedhor. Por, brenda ditës ndërroi qëndrim, duke shprehur skepticizëm ndaj kërkesës së vazhdueshme të aleatëve, të cilët s’duan të përsërisin gabimet e 2009-ës, kur Edi Rama i la jashtë përfaqësimit në parlament. Insistimi i të vegjëlve nënkupton më shumë hapësira në koalicionin me Partinë Socialiste, në mënyrë që partitë e vogla të mund të çojnë përfaqësuesit e tyre nga lista e kandidatëve, në Kuvendin e Shqipërisë.
Janë tre kërkesa të ish aleatëve si, ndryshimi i sistemit elektoral, mënyra e ndarjes së mandateve për deputete dhe ulja në 2 për qind të pragut elektoral, për hyrjen në Parlament, të cilat në mëngjes morën “Ok”-in e kryesocialistit, ndërsa gjatë pasdites u shpreh skeptik për realizimin e tyre, duke e cilësuar firmën e tij në draftin e propozimeve të të vegjëlve si, thjesht një “autograf”. Nga këtu kuptohet karakteri i vërtetë i kryesocialistit, i cili ndryshe thotë në mëngjes dhe ndryshe në darkë; tjetër gjë u premton ish aleatëve dhe tjetër gjë u realizon.
Sikurse edhe shumë marrëveshje, edhe kjo ku ai ka vënë firmën si “autograf”, është e destinuar të griset, pasi pak gjasa kanë që pretendimet e të vegjëlve të trajtohen me seriozitet nga selia rozë, për sa kohë Edi Rama i druhet rolit të të “vegjëlve”, përmes korrektimit të sistemit dhe uljes së pragut elektoral.