Takimet me perfaqesues te komunes se Mitrovices dhe Dr. Munr Kazmir

Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësues të Këshillit Komunal të Mitrovicës. Shoqata “Eksodi” e ngritur nga ky këshill, i dorëzuan kryeministrit pankartën simbolike në shenjë mirënjohje për mikpritjen e shqiptarëve gjatë genocidit të Kosovës në vitin 1999.
Në këtë takim, pasardhësit e Isa Buletinit në Mitrovicë, pjesë e këtij delegacioni, i dorëzuan Kryeministrit flamurin e sjellë nga kulla e Isa Buletinit, flamur i cili e ka udhëhequr atë në betejat e tij.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij për aktivitetin e kësaj shoqate dhe u premtoi atyre se do t’i mbështeste dhe ndihmonte në përmbushjen e këtij misioni që i shërben bashkimit të shqiptarëve në Evropë.
Po sot, Kryeministri Berisha priti në një takim Dr. Munr Kazmir, përfaqësues dhe anëtar i bordit të Kolegjit Amerikan “Rabbinical College of America”- Chabad.
Dr. Munr Kazmir, i dorëzoi Kryeministrit Berisha titullin e nderit “Menorah - 5773 Hanukkah 2012” në shenjë vlerësimi dhe falënderimi për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis popullit hebre dhe atij shqiptar. Dr. Kazmir i tha Kryeministrit se është bërë traditë nga ky Kolegj që të nderojë personalitete të njohura të botës, sidomos politikanë dhe njerëz të shquar në fusha të ndryshme, për kontribute të veçanta e të rëndësishme, në këtë kohë të shenjtë të vitit për popullin hebre, në Hanukkah.