Takimet me shqiptarët në Itali dhe Greqi, Berisha: Pati pëlqim për programin e PD-së

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha Berisha vlerësoi sot takimet e zhvilluara me shqiptarët në Itali dhe Greqi, ndërsa u shpreh se programi i PD-së kishte një pëlqyeshmëri të jashtëzakonshme në këto takime.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se edhe pse ata nuk përfitojnë direkt nga ai program pasi jetojnë jashtë, ka shumë aspekte nga të cilat preken indirekt siç është vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për familjarët e tyre.
Berisha tha se nisur nga fakti se janë ata që përballojnë minimumin jetik të familjarëve të tyre, u intereson edhe pikë të tilla të programit të PD-së si ulja e çmimit të energjisë dhe naftës, apo lehtësirat e tjera për bizneset.
Në këtë drejtim, Berisha siguroi se “tre muajt e parë të qeverisjes së PD-së, ata çlirohen plotësisht nga kjo barrë”.
“Të gjithë emigrantët, familjarët e të cilëve në Shqipëri janë pa punë, janë në ndihmë ekonomike ose marrin pensione nën 200 euro, ose marrin rroga të ulëta nën 500 euro apo paguajnë energjinë me 85 lekë kilovatin, me paketën e emergjencës çlirohen përfundimisht nga detyrimi për të çuar shumën e kafshatës në Shqipëri”, tha ai.
Një tjetër pikë e programit të PD-së e pëlqyer nga shqiptarët e diasporës, sipas Berishës është edhe ajo për heqjen e çdo takse për 5 vitet e para për çdo emigrant që vjen të investojë kursimet e tij në Shqipëri.
“Me interes të veçantë është pritur programi ynë për bujqësinë. Jo vetëm që do subvencionohet për çdo fidan dhe krerë bagëti, por do garantohen kredi të buta dhe grante për hapjen e fermave nga emigrantët që duan të vijnë në Shqipëri dhe të zbatojnë ato praktika që kanë zbatuar në vendet ku janë”, shtoi ai.
Berisha i cilësoi takimet me shqiptarët në Itali dhe Greqi si “udhëtim në fitore”.
Duke folur mbi marrëveshjen e detit me Greqinë, Berisha theksoi se “ajo ishte marrëveshja më e mirë që Shqipëria mund të marrë ndonjëherë në të gjitha kohërat, sepse u firmos në kushtet kur Greqia kishte të deklaruara ujëra territoriale 6 milje”.
“Natyrisht Greqia në ligjin ndërkombëtar kishte të drejtë të plotë të kalonte në 12 milje. Greqia nuk e bëri këtë. Greqia pranoi që marrëveshja të firmosej në një kohë kur ajo njihte 6 milje. Greqia nuk humbiste nga marrëveshja, se duhej të jesh naiv që të mendosh se ajo po të fal apo po humbet. Por ajo pranoi një regjim që e kishte. Ky ishte një avantazh real i Shqipërisë që nuk e arrin më. Pa diskutim që unë kam të drejtë morale dhe ligjore që të ulem në tryezë me palën greke dhe të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të dy vendet”, shtoi Berisha.
/m.m/j.p/