E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Basha- Boutaris

Bashkëpunimi midis Tiranës dhe Selanikut do të konkretizohet së shpejti në fusha të ndryshme ekonomike, sociale e kulturore.

Ishte ky mesazhi që përcollën kryebashkiaku Lulzim Basha dhe krytari i bashkisë së Selanikut Boutaris,  cili ndodhet për një vizitë disa ditore në Shqipëri.

“Në bisedimet që patëm gjatë takimit u fokusuam në bashkëpunim mes dy bashkive, në fusha të tilla si fusha kulturore, ku Bashkia e Selanikut ka përvoja të veçanta nga e cila edhe Bashkia e Tiranës mund të marrë, të tilla si: festivalet kulinare, festivalet e guzhinës apo një festival i veçantë muzikor që do të zhvillohet këtë vit, botëror. Po kështu, folëm edhe për bashkëpunimin në kuadër të 2014-ës, ku Selaniku do të jetë kryeqyteti botëror i rinisë dhe Bashkia e Tiranës do të ketë edhe ajo prezencën e saj në këtë ngjarje të rëndësishme, eveniment të rëndëishëm për rajonin, folëm për bashkëpunimin në fushën e biznesit, nxitjen e kontakteve mes biznesit në Tiranë, Selanik, në fusha të tjera të shërbimeve bashkiake, siç janë transporti urban, kultura, sportet, arti dhe jam i sigurtë se kjo vizitë do i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy qyteteve tona, qytetarëve, bizneseve, sportistëve, artistëve dhe shkëmbimit të përvojave më të mira, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës dhe Selanikut” – vuri në dukje kryebashkiaku Basha. 

Zoti Basha, duke nënvizuar faktin se në Selanik jeton një numër i madh shqiptarësh, shprehu angazhimin e tij, për t’i bërë ata pjesë, të të gjithë aktiviteteve që do të zhvillohen, me një kalendar të përbashkët mes Tiranës dhe Selanikut. 

“Natyrisht, në Selanik ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët prej kohësh luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e këtij qyteti dhe Tirana, jo vetëm si qyteti më i madh i shqiptarëve, por edhe si kryeqendra e vendit do të mbështesë me të gjithë mundësitë ata, nëpërmjet angazhimit të tyre në të gjithë aktivitetet, kulturore, sportive e të gjithanshme që do të organizojmë sëbashku, me një kalendar të përbashkët me Bashkinë e Selanikut” - u shpreh Basha. 

Kryetari i Bashkisë së Selanikut ka vlerësuar vizionin e zotit Basha, për drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe shprehu angazhimin e tij, për ta bërë Tiranën, pjesë të aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, kulturore e artistike që zhvillohen në Selanik.

“Unë e informova z Basha për disa evente që do të organizohen në dy vitet e ardhshme në Selanik, si “Vumex” një festival i madh muzike, një festival në vitin 2014 për të rinjtë, ku Selaniku do të jetë “kryeqyteti i të rinjve”. Është koiçidencë, por këtë vit ne kemi përvjetor pavarësie dhe po ashtu Shqipëria ka një përvjetor të tillë. Qëllimi ynë është që të hapim marrëdhëniet me fqinjët sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, mund të tejkalojmë krizën që kemi e që mund të shtohet, ndaj dhe jam vërtet i lumtur që jam këtu” - u shpreh z. Yiannis Boutaris.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›