E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, ILDKP kryeson rrjetin kundër korrupsionit

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është zgjedhur drejtues i parë i Rrjetit Informal për Çështje të Integritetit dhe të Konfliktit të Interesave në Evropën Juglindore, i cili u krijua dje në Tiranë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në planin rajonal. Vendimi është marrë në mbyllje të takimit dyditor Bashkëpunimi ndërkombëtar për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimin e pasurive-një instrument në luftën kundër korrupsionit. Përfaqësuesit e institucioneve antikorrupsion të 12 vendeve anëtare të rrjetit zgjodhën Inspektoratin e Lartë vlerësuan angazhimin e deritanishëm të institucionit në parandalimin e konfliktit të interesave. Në bazë të Statutit të Rrjetit Informal për Çështje të Integritetit dhe të Konfliktit të Interesave në Evropën Juglindore, të aprovuar në këtë konferencë, vendet anëtare do të angazhohen në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e parandalimit të konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive. Inspektorati i Lartë do të ketë rol drejtues të Rrjetit... për një periudhë njëvjeçare dhe më pas, siç u vendos në konferencë, mandati do ti përcillet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të Republikës së Maqedonisë. Në ditën e parë të takimit, të organizuar nga Inspektorati i Lartë dhe Sekretariati i Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore, morën pjesë Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, të cilët vlerësuan pozitivisht aktivitetin e ILDKP-së, si edhe theksuan rëndësinë e konferencave të tilla për hartimin e strategjive të përbashkëta antikorrupsion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›