E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidon EULEX’in

Bastisja e Ministrisë së Transportit ishte spektakël, aksion joprofesional, ndërhyrje politike dhe tendencë për denigrimin e institucioneve. Deklaratat e Pieter Feithit ishin të mbushura politikë. Pavarësisht motiveve, imazhi ynë është dëmtuar. Kërkojmë nga EULEX’i që të ofrojë fakte dhe dëshmi. E vërteta duhet të dihet shpejt. Kjo çështje nuk guxon të zvarritet. Jakup Krasniqi, Kryetar i Parlamentit të Kosovës, flet për Express.

Express: Z. Krasniqi, ju jeni zyrtari i parë i lartë kosovar që pranoni të intervistoheni pas bastisjes së Ministrisë së Transporteve. Çfarë po ndodh, pse krerët e Shtetit po i shmangen kontaktit me gazetarë?
J. Krasniqi: Rasti, mund të themi se është delikat, për faktin se intervenimi është bërë në institucionet e Shtetit. Realisht, materiali që është marrë atë ditë nga forca të mëdha të policisë ka mundur të merret në mënyrë shumë profesionale nga organet e hetuesisë ose Prokurorisë. Në fund të fundit, është material publik, legal dhe material që mund të gjendet në tri-katër institucione shtetërore. Ne e dimë se para pak kohe hetuesit e EULEX’it kishin kërkuar materialin e një rruge të caktuar dhe ai material u është dhënë në mënyrë shumë zyrtare. Ngjashëm ka mundur të ndodhë edhe me materiale të tjera, të cilat EULEX’i i mori të enjten. Prandaj, konsiderojmë se edhe krerët më të lartë të Shtetit janë gjendur të papërgatitur përballë kësaj ndërhyrjeje. Kjo për shumë arsye. Në radhë të parë, për shkak të respektit që kanë për Bashkimin Europian. Në radhë të dytë, për shkak të respektit që kanë për EULEX’in si trupë e Bashkimit Europian. Dhe, në radhë të tretë, për shkak se vetë Ministri Limaj ka thënë publikisht se e respekton rendin dhe ligjin. Kjo ka qenë një deklaratë shumë e pjekur, e balancuar, ka qenë një deklaratë e një njeriu që e do vendin e vet.

Express: Ju shfaqët vërejtjet për mënyrën se si u realizua aksioni i Policisë së EULEX’it. Kur thoni se ky aksion ka mundur të bëhet në mënyrë profesionale, a do të thotë kjo se atë po e konsideroni joprofesional?
J. Krasniqi: Po, bash këtu e kisha fjalën. Mënyra se si është bastisur Ministria e Transportit apo spektakli që u bë atë ditë, më tepër ka qenë një teatër i madh. Ne besojmë se ka pasur mundësi të shumta se si të nxirret e vërteta, por pa i dhunuar institucionet e Shtetit.

Express: Për mendimin tuaj, pse vendosi EULEX’i t’i “dhunojë institucionet”, siç po thoni ju?
J. Krasniqi: Kjo është pyetje që duhet të adresohet në EULEX. Por, realisht mënyra se si është intervenuar në institucionet, që janë krijuar me gjak në rrethana shumë të vështira, mendojmë që ka qenë një ndërhyrje që nuk e dimë se në cilin vend të botës është parë. Ndërhyrje të tilla mund të shihen atje ku luftohen grupet kriminale, grupet e armatosura, grupet që e kundërshtojnë rendin dhe ligjin, por jo në institucionet shtetërore.

Express: Në rregull, por EULEX thotë se bëhet fjalë për dyshime të keqpërdorimeve të miliona eurove...
J. Krasniqi: Ata kanë të drejtë të dyshojnë. Mirëpo, ata kanë mundur ta marrin atë material në mënyrë fare normale. Nuk besoj se dikush aty do t’i pengonte që t’i marrin dokumentet që dëshirojnë t’i marrin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›