Takimi Kurti-Vuçiç, Eksperti i Europës Juglindore: Shanse të reja për Ballkanin Perëndimor

Ndërsa sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të takohen në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Eksperti i Europës Juglindore, Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor e sheh planin e inicuar nga Gjermania dhe Franca si një shans për të dyja vendet. Për Sarrazin, pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE.
“Propozimi europian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE, Pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE. Tani është mundësia që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të pranojnë propozimet e paraqitura. Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një situatë kritike ndërkombëtare, thekson Sarrazi në një intervistë për DW.
Pranimi i planit nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, beson Sarrazin, por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti. Po ashtu ky plan do të thjeshtonte shumë çështje të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. “Do të ofroheshin shumë mundësi, që të zbatohen pikat që i kemi arritur në Procesin e Berlinit dhe të shkohet përtej kësaj”, shton ai.
Vetë Sarrazin bën një bilanc pozitiv të angazhimit 1-vjeçar si i ngarkuar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Sidomos tre marrëveshjet e mobilitetit në samitin e Berlinit, deklarata për energjinë, në kuadër të të cilës Gjermania i ka ofruar rajonit në formë bilaterale mjete të mëdha financiare janë sinjale shumë të rëndësishme.
“Qeveria federale ka një angazhim të qartë për të ardhmen europiane të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtu nuk bën pjesë vetëm kërkimi i mundësive për zgjidhje për krizat akute aktuale, por edhe përmirësimi i dukshëm i perspektivës për shoqëritë në rajon. Në këtë drejtim duam të punojmë si qeveri federale në muajt e ardhshëm. Koordimi i vendosur në ujdi të ngushtë me partnerët në BE dhe SHBA janë kusht për të arritur zhvillime pozitive në Ballkanin Perëndimor”, thekson Sarrazi.
Këtë të hënë (27.02.2023) takohen sërish në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Tema e bisedimeve është plani i inicuar nga Gjermania dhe Franca për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. BE dhe SHBA i kanë dhënë Kosovës dhe Serbisë një afat deri në mars 2023 që të bien dakord për këtë plan. Propozimi parasheh që të dy vendet fqinje nuk do e njohin njëra-tjetrën formalisht, por do të pranojnë ekzistencën e e dynashme dhe kështu të startojnë një proces të normalizimit, pak a shumë si ai mes Gjermanisë Federale dhe RDGJ-së mbi bazën e marrëveshjes së vitit 1972.
/rtsh.al/