E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Medvedev-Obama, më 23 shtator në Nju Jork

Presidenti rus, Dmitri Medvedev dhe homologu amerikan Barack Obama do të takohen më 23 shtator në Nju Jork, në kuadër të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, theksoi sot ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.
"Një raport mbi zhvillimin e negociatave ruso-amerikane mbi çarmatimin bërthamor do t'i paraqitet Medvedev dhe Obamës gjatë takimit të tyre në Nju Jork më 23 shtator'', deklaroi shefi i diplomacisë ruse në një konferencë shtypi në përfundim të një takimi me homologun sllovak, Miroslav Lajcak.
"Në total, katër deri në pesë sesione negociatash do të zhvillohen deri në fund të dhjetorit, datë kur përfundon traktati START për çarmatimin", shtoi ai. Në muajin korrik, Obama dhe Medvedev ranë dakord në Moskë për të reduktuar një të tretën e arsenaleve bërthamore strategjike. Por një seri e parametrave mbetet për t'u përcaktuar, në mënyrë të veçantë numri i vektorëve bërthamor që mbajnë të dy vendet.
Dmitri Medvedev do të marrë pjesë gjithashtu edhe në samitin e G20-s në Pittsburgh (SHBA) më 24-25 shtator.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›