E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, Meta i përcjell Berishës mesazhet e Departamentit të Shtetit

PS kërkon zbardhjen e rendit të ditës për seancën e së hënës

Departamenti i Shtetit ka bërë të njohur në Tiranë një qëndrim të drejtpërdrejtë lidhur me draftin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Burime nga qeveria bënë të ditur se mesazhi i është përcjellë ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, i cili e ka vënë atë në tryezën e Kryeministrit gjatë një takimi të posaçëm që është zhvilluar me këtë rast. Sipas të njëjtave burime theksohet se apeli i mbërritur drejt numrit dy të qeverisë ka qenë: ligji nuk duhet të miratohet pa konsultime të mëtejshme me NATO-n. Ky ka qenë, nëse mund të quhet kështu, roli i Metës në këtë situatë që ka sjellë ndryshime shumë të shpejta dhe të papritura edhe në Parlament. Një Jo e menjëhershme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e ripërsëritur thuajse përditë, ka krijuar kushtet për një shumicë opozitare ndaj nismës në fjalë, e cila ka gjetur si pikëmbështetje edhe 3 vota nga Partia Demokratike. Ajo që bie në sy në këtë drejtim është vendosja e linjës direkte të komunikimit me qeverinë shqiptare nga Uashingtoni, e cila riprodhon me tone të tjera mesazhet e ambasadorit amerikan, Uidhers. Sipas asaj që ka dalë në sipërfaqe, këto sinjale nga Departamenti i Shtetit, që nuk janë të vetmet për Kryeministrin Sali Berisha, kanë kushtëzuar ndër të tjera qëndrimin e aleatit të tij në qeveri, por edhe të Partisë Socialiste, e cila ka vendosur të votojë kundër. Vetoja ndaj kësaj nisme mbetet ende në fuqi dhe për të kuptuar këtë mund të shërbejë edhe qëndrimi i djeshëm i PS-së, e cila përmes sekretarit të grupit të vet parlamentar, Taulant Balla, ka kërkuar publikimin e rendit të ditës së seancës së të hënës. Deputeti socialist ka bërë kështu të njohur se ekipi parlamentar i selisë rozë do të jetë i gjithi në sallë për të rrëzuar çdo të papritur që mund të vijë nga përdorimi i Rregullores së Kuvendit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›