Shterojnë rezervat e gjakut tek Ushtaraku, shoqata apel dhuruesve
Rezervat e gjakut në Spitalin Ushtarak të Tiranës po shterojnë dita-ditës, për shkak të numrit të lartë të personave të aksidentuar gjatë stinës së verës. Nisur nga kjo, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut i bën apel opinionit publik që të sensibilizohen dhe të dhurojnë gjak për personat në nevojë. Vit pas viti në stinën e verës jemi dëshmitarë të një mungese dramatike të gjakut. Rriten aksidentet rrugore dhe nuk pakësohen të sëmurët kronikë, të cilët çdo muaj kanë nevojë për të marrë gjak. Këtu përfshihen sidomos fëmijët talasemikë. Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, "DHVGJ", në bashkëpunim me Shoqatën e Talasemikëve dhe me grupin e Skout-ve, do të organizojë dy aktivitete për dhurimin e gjakut në zonat e plazhit të Durrësit.
"Përpara se të nisesh për pushime, bëj një akt dashurie e solidariteti: Dhuro Gjak". Ky është slogani i kësaj fushate që synon sensibilizimin e popullatës për të dhuruar gjak dhe për t’u dhënë një fije shprese personave që kanë nevojë për të.