E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Mujota - McColl: NATO, mjaft e angazhuar për të ndihmuar FSK-në

Prishtinë, 16 korrik, NOA - Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota është takuar me zv/komandantin e NATO-s për Evropë, gjeneralin John McColl, më të cilin ka biseduar për zhvillimet në këtë ministri dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe angazhimet e ardhshme në këto dy institucione.

Ministri Mujota e vlerësoi lartë ndihmën e NATO-s dhe kërkoi që kjo ndihmë të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që FSK-ja të vazhdojë me sukses ngritjen dhe profesionalizimin e saj sipas standardeve dhe parimeve të Aleancës Veri-atlantike.
Në këtë fazë jemi të interesuar që të kemi rritje të kapaciteteve mentoruse të NATO-s për FSK-në dhe sigurimin e armatimit adekuat paralelisht me arritjen e kapaciteteve të para operacionale, ka thënë Mujota me këtë rast.
Ishte vlerësim i përbashkët se suksesi i deritanishëm në ndërtimin e Ministrisë dhe ngritjen e FSK-së, është arritur në saje të punës së përbashkët të Ministrisë, KFOR-it dhe NATO-s.
Gjenerali McColl, siç thuhet në një komunikatë të Ministrisë së FSK-së, e siguroi edhe njëherë Ministrin Mujota, se do të angazhohet që në Komandën Supreme të NATO-s në Bruksel, të nxisë shtetet anëtare për ofrimin e ekspertëve të mentorimit si dhe inkurajimin e vendeve mike për kontribut të mëtejmë në Fondin e Mirëbesimit për FSK-në.
Gjithashtu McColl, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë u takua edhe me gjenerallejtënant Sylejman Selimin, komandant i FSK-së, ku u shkëmbyen pikëpamje lidhur me ecjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›