Takimi Nishani-Granoff

Presidenti, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Bordin Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, të kryesuar nga zoti Michael Granoff, ku u diskutua për promovimin e vlerave të ekonomisë së tregut, dinamizmin që i ka dhënë ekonomisë sonë me investimet në sektorë kyç të zhvillimit dhe në inkurajimin e modeleve që duhet të ndjekin kompanitë private në Shqipëri.
Kreu i shtetit e uroi zotin Granoff për projektin e nisur të Parkut Logjistik dhe projektin për zhvillimin e lidershipit, nisma këto që synojnë t’u ofrojnë mundësi profesionistëve të rinj, për të konkretizuar përvojat në nivelet më të larta të drejtimit në sektorin e administratës publike, si një mënyrë efikase drejt përparimit evropian të vendit.
Nga ana e tij, presidenti i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granoff i shprehu mirënjohjen Presidentit Nishani për bashkëpunimin e deritanishëm duke nënvizuar se qëllimi i Fondit është të shërbejë si katalizator për inkurajimin e investimeve në Shqipëri.