E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takimi Sunak-Rama: Do kthehen të gjithë të burgosurit shqiptarë në Britani, ekip pune për të parë kapacitetin e burgjeve në Shqipëri

Pas përfundimit të takimit midis kryeministrit Rama dhe atij britanik, Rishi Sunak, të dy liderët kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për mediat.

Në deklaratën e përbashkët theksohet se të dy kryeministrat shprehën objektivin e tyre për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Të dy kryeministrat shprehën ambicien e tyre të përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, bashkëpunimin në adresimin e kërcënimeve globale dhe rajonale dhe forcimin e partneritetit dypalësh.

 Ata vunë në dukje potencialet e mëdha për rritjen e marrëdhënieve tregtare, investimeve dhe në fushën e teknologjisë, ndërkohë që  Kryeministri britanik Sunak mirëpriti sërish kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar të Britanisë së Madhe në jetën britanike”, thuhet në deklaratën e përbashkët për mediat.

Agresioni rus dhe siguria

Një nga çështjet e diskutuara midis Ramës dhe Sunak ka qenë edhe siguria si dy vende të NATO-s pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Kjo çështje ka përfshirë edhe sigurinë kibernetike.

“Si aleatë në NATO, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerë të ngushtë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të punuar së bashku për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve, mbrojtjen e demokracisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj agresionit nga Rusia. Kjo do të përfshijë ndihmën e mbrojtjes kibernetike shqiptare përballë kërcënimeve në internet”, shkruhet më tej në deklaratë.

Emigracioni i paligjshëm

Në takimin mes Ramës dhe Sunak është diskutuar gjithashtu edhe për çështjen e emigracionit të paligjshëm për të parandaluar këtë fenomen dhe goditur bandat kriminale.

“Kryeministrat e dy vendeve u angazhuan për thellimin e punës në kuadër të Deklaratës së Përbashkët dhe Task-Forcës për të cilat u  ra dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve. Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta të nivelit të lartë për të frenuar pikësëpari udhëtimin e njerëzve dhe marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportat”, saktësohet në deklaratë.

Në këtë pikë të diskutimeve, Rama dhe Sunak kanë rënë dakord për ngritjen e një ekipi të përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë “që do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë,  një proces që do të përfundojë deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar”.

“Dy kryeministrat përshëndetën progresin e deritanishëm, pasi rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit dhjetor, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktojnë Shqipërinë një vend të sigurt. 

Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak përshëndetën punën e përbashkët në vijim për ekstradimet, ndjekjet penale dhe kapacitetet e mjekësisë ligjore dhe ekstradimin e qindra të burgosurve në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

Vlen të theksohet se në vitin 2022 ishin 1336 shqiptarë të burgosur në Angli dhe Uells, duke shënuar numrin më të lartë të kombësisë së huaj për vitin e kaluar. Përveç kësaj, kishte 830 shtetas polakë në burgje dhe 752 rumunë.

Përveç çështjeve të emigracionit dhe goditjeve të rrjeteve kriminale, kryeministri Rama dhe ati britanik, Rishi Sunak kanë rënë dakord edhe ngritjen e Dhomës Tregtare të Britanisë së Madhe në Shqipëri.

“Në fund, të dy kryeministrat mirëpritën progresin në bashkëpunimin e biznesit dhe bashkëpunimin universitar, duke përfshirë hapjen e Dhomës së re Britanike të Tregtisë në Shqipëri, dyfishimin e fondit të gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut për financimin e eksporteve britanike për Shqipërinë në 4 miliardë stërlina, për lehtësimin e investimeve dhe thellimin e lidhjeve mes universiteteve të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, përfundon më tej deklarata e përbashkët për median.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›