Takimi i Ohrit/ Xhaçka: Të zbatohet marrëveshja, Kosovës t’i hapet rruga e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka duke folur në Kuvend për marrëveshjen e Ohrit të arritur mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka theksuar se ky akt do të çojë drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
“Unë personalisht jam shumë optimiste që me angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës, atë të Serbisë, mbështetjen dhe monitorimin e BE dhe SHBA veçanërisht gjatë procesit delikat të implementimit, ekzistojnë të gjithë kushtet që kjo marrëveshje të çojë me sukses drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Xhaçka.
Megjithatë, Xhaçka vuri në dukje se marrëveshja dhe ankesi duhen zbatuar dhe se nuk duhet të pengohet integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Marreveshja dhe aneksi duhen zbatuar ne teresine e tyre, siç parashikon pika 2 e aneksit, jo duke zgjedhur ca dispozita dhe injoruar disa te tjera: nuk duhet te pengohet anetaresimi i Kosoves ne organizata nderkombetare, perfshire OKB; duhet te njihen dokumentat dhe simbolet kombetare te Kosovës”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka shpjegoi se Shqipëria ka qenë që në krye të herës në mbështetje të planit franko-gjerman që rregullon raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mbështetje të dialogut. Shqipëria ka qenë po ashtu që në krye të herës në mbështetje të të ashtuquajturit plan franko gjerman i cili shërben si një pikënisje e mirë për dialogun. E padyshim, ashtu siç kemi bërë në çdo moment, edhe në luftë, edhe në paqe, ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën me të gjithë mundësitë që kemi”, ka theksuar Xhaçka.
Ajo shtoi se marrëveshja e Ohrit dhe mbëshetja e Shqipërisë ndaj Kosovës është një bazë e mirë dhe e rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës për të rritur dhe forcuar stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
/rtsh.al/