E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me Daçiç, Thaçi njofton Presidenten dhe EULEX-in

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur takimet me përfaqësuesit vendor e ndërkombëtar në Kosovës, për t`i njoftuar me në lidhje takimin që pati me kryeministrinë e Serbisë, Ivica Daçiç në Bruksel. Thaçi është takuar sot me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, si dhe me përfaqësues të EULEX-it.

Në një deklaratë të publikuar nga kabineti i presidentes, kryeministri Thaçi citohet ta ketë vlerësuar takimin “si konstruktiv, të zhvilluar ndërmjet të barabartëve, që ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në kuadër të ndërtimit të politikave të fqinjësisë së mirë, kusht ky për integrimin e shteteve në Bashkimin Evropian”.

Presidentja Jahjaga ndërkaq, ka dhënë mbështetjen e institucionit që ajo udhëheq për kryeministrin në procesin e dialogut dhe arritjes së konsensusit institucional dhe kombëtar, duke e konsideruar dialogun “jo vetëm si rrugën më të mirë, por si alternativën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe si fqinjë që kemi pasur një të kaluar të hidhur”.

Gjithashtu gjatë ditës kryeministri Thaçi pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shalën.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›