Basha: Jo kthim tek socializmi pa taksa, ekonomia ka nevojë për kreditim
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është shprehur kundër kthimit tek socializmi pa taksa,ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e kreditimit të ekonomisë. Ndërsa ka folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, kryebashkiaku Basha theksoi se të flasësh për një ekonomi pa taksa nuk është realiste.
" Nuk ka nevojë ekonomia jonë për një mungesë të tillë realizmi. Taksa e sheshtë, taksa e ulët funksion. Ekonomia ka nevojë për kreditim dhe ne duhet të mendojmë rrugë të reja inovative, për të hapur grushtin e mbledhur me të padrejtë të disa prej bankave të nivelit të dytë dhe për të stimuluar ekonominë nëpërmjet kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe bizneset që do të hapen së shpejti edhe nga ju në sallë dhe kolegët tuaj anembanë Shqipërisë” tha Basha.
Ai gjithashtu pa paraqitur disa nga pikat e planit rregullues të Tiranës për të cilin theksoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të krijohet edhe një fond garancish për të.
“Përfitoj nga rasti që këtu para jush të përsëris atë pikë kryesore të planit, që është krijimi në buxhetin e vitit të ardhshëm i një fondi garancish, tërësisht nga paratë e taksapaguesve të qytetit të Tiranës prej 2 milionë eurosh, për të kredituar ndërmarrje të vogla dhe te mesme që hapen nga qytetarë të Tiranës, nën moshën 35 vjeçare. Nuk është shumë por është një fillim i cili shpresoj se do të mbështetet dhe nga qeveria edhe nga fonde të tjera. Ekonomia ka nevojë për kreditim, bankat janë plot me likuiditet, të ulemi së bashku dhe të gjejme çelësin e vërtetë, për të rritur mirëqënien dhe të mos rrezikojmë t`u kthehemi rrugëve të mbyllura dhe pa krye, të socializmit pa taksa" - theksoi Kryebashkiaku Basha.
Ai ka shtuar gjithashtu se Bashkia ka ndërmarrë një paketë masash për të përmirësuar klimën e biznesit në Tiranë.
“Ndërmorrëm një paketë masash e cila synonte reduktimin e mëtejshëm të barrës fiskale dhe administrative nga pushteti vendor, konkretisht heqjen e afro 60 tarifave dhe uljen dhe reduktimin e disa taksave. Kur ndërmorrëm këto hapa si dhe shërbimin me një ndalesë për lejet dhe licencat, shumëkush u tregua skeptik apo indiferent por cilat janë rezultatet, jo sipas Bashkisë por sipas shërbimit qendror të taksave dhe Institutit të Statistikave. Në një vit tejet të vështirë tejet të vështirë për ekonominë botërore, edhe më dramatik për rajonin, në qytetin e Tiranës, vetëm gjatë 12 muajve u krijuan 6880 vende pune më shumë se sa viti paraardhës dhe 5 000 kompani të vogla dhe të mesme u hapën dhe u regjistruan në këtë qytet. Kjo masë funksionoi dhe dha rezultatet e dëshiruara” shtoi Basha.