E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takimi me Ramën/ Ahmeti: Anëtarësimi në BE në fokus të bisedës, mënyra e vetme për të ndalur emigracionin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, pas përfundimit të takimit me Kryeministrin Edi Rama dhe krerët e partive politike në Maqedoninë e Veriut, në vilën qeveritare në Tiranë, ka deklaruar se integrimi i dy vendeve në BE, ishte kryefjala e takimit. Në një prononcim për media, Ahmeti u shpreh se theksi u vu gjithashtu te bashkëkoordinimi i përvojave të dy vendeve për të shkurtuar rrugën drejt anëtarësimit të plotë drejt BE-së, si një nga mënyrat për të ndaluar emigracionin.

“E tërë vëmendja u përqendrua tek zhvillimet e përbashkëta, rrugëtimi I përbashkët që ka bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Pati një ligjërim nga kryeministri i Shqipërisë për sfidat, përpjekjet e përbashkëta që janë bërë bashkë me vendin tonë,  si dhe përpjekjet që duhen bërë bashkarisht pas përfundimit të screningut drejt hapjes së kapitullit të parë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Puna e lodhshme që është lënë pas krahëve, parashikimet ishin se shumë më e vështirë do jetë rruga, vështirësitë që na presin përpara. Kështu që të dy vendet duhet të bashkëkoordinohen në këmbim të përvojave që ta shkurtojmë rrugën drejt anëtarësimit të plotë drejt BE-së, si një nga mënyrat thuajse të vetme për të ndaluar emigracionin nga dy vendet tona, si një moment qe duhet të në shërbejë që të angazhohemi në përforcim të standarteve që na përafrojnë drejt BE dhe për të parandaluar largimin e qytetarëve. U përmend edhe shembulli i Spanjës dhe Portugalisë që në momentin që ato janë bërë anëtarë të BE-së, pjesa dërrmuese e spanjollëve dhe portugezëve janë kthyer në vendet e tyre. Ky ishte thelbi i bisedës. Të larguarit nga vendi mund të ndalet vetëm me përafrim të standarteve me standartet e Europës Perëndimore. I tërë thelbi i bisedës ka qenë ky.  Porosia e Ramës ishte për të bashkëkomunikuar,  bashkëvepruar për çështje të ndryshme sa u takon shqiptarëve”, tha Ahmeti.

Më tej, kreu i BDI komentoi edhe refuzimin që Lëvizja Besa i bëri këtij takimi. Mospjesmarrjen e saj, Ahmeti e konsideroi si një papjekuri politike.

“Mendoj që nuk kanë bërë mirë, kanë treguar papjekuri politike. Nuk duhet t’iu shmangesh takimeve të tilla, qofshin në Tiranë apo Shkup. Është mirë që njerëzit të na shohin së bashku për të koordinuar punë të cilat priten nga qytetarët”, tha ai.

Ditën e martë, kreu i qeverisë zhvilloi një takim në vilën qeveritare, me kreun e BDI, kreun e Partisë Aleanca për Shqiptarët, kreu i PDSH, dhe ai i Alternativës, ndërsa mungoi kreu i Lëvizjes Besa. Kryeministri Rama publikoi një foto në rrjetin social Facebook nga takimi, ku u uronte shqiptarëve një vit të mbarë, por nuk ka dhënë asnjë koment apo deklaratë lidhur me temat të cilat u diskutuan.

Kujtojmë që në muajin korrik të vitit të kaluar, negociatat u hapën për Maqedoninë e Veriut, me një kusht nga Bullgaria e cila kërkon ndryshime kushtetuese ku duhet të parashikohet ekzistenca e minoritetetit bullgar në Maqedoninë e Veriut dhe njohjen e gjuhës bullgare si gjuhë zyrtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›