Paralajmërimi i Ramës për mandatin e 9-të në Fier
Dy ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar një paralajmërim të fortë në drejtim të kryeministrit Sali Berisha. Rama i ka bërë thirrje Berishës që të mos grabisë atë çka ai e quajti mandatin e 9-të që Partia Socialiste ka fituar në qarkun e Fierit, pasi në rast të kundërt partia kryesore e opozitës nuk do t’i njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Mandati i 9-të i PS-së në Fier është një mandat të cilin populli i thjeshtë ia ka dhënë PS-së dhe nuk ka forcë mbi tokë që këtë mandat ia merr popullit të Fierit, duke ia marrë PS-së. Sali Berisha duhet të heqë dorë nga ky plan nëse nuk do që PS të mos i njohë zgjedhjet. Kjo nuk është çështje numrash, por e një principi themelor të demokracisë. Grabitja quhet grabitje, qoftë kur grabit 1, 10 apo 100, qofshin kur janë mandate apo çfarëdo qofshin. Është e patolerueshme dhe ne do ta bëjmë të pamundur që kjo palo qeveri në formim e sipër, ende pa u bërë qeveri, ta nisë me një grabitje të kësaj përmase. E theksoj edhe një herë tjetër, që jo vetëm mandati i 9-të në Fier, por edhe gjithçka tjetër që duhet të bëhet transparente për popullin sovran nga votimi i 28 qershorit do të zbardhet medoemos. Ne nuk tërhiqemi asnjë milimetër nga mbrojtja e interesit të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të mos lejuar që në vitin 2009, në mes të Europës, vota të cenohet dhe vullneti i popullit sovran të deformohet”, - ka thënë Rama.
8 Korrik 2009