Takimi në Rogner, Berisha 90 minuta me Metën e Bashën

Takimet mes kryeministrit Berisha dhe ish zëvendësit të tij Ilir Meta janë bërë më të shpeshta kohët e fundit. Vetëm brenda dy ditëve shefi i qeverisë ka zhvilluar takime jo protokollore me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Kësaj radhe këtij takimi i është bashkuar edhe kryebashkiaku Lulzim Basha. Takimi, i cili ka zgjatur për rreth 1 orë e 30 minuta, në një nga hotelet kryesore në kryeqytet, është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa më pas nuk ka patur asnjë prononcim. Pas takimit kreu i qeveirsë nuk ka nguruar të përshëndesë gazetarët nga makina e tij, ndërsa pas tij është larguar edhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, aleat i kryeministrit në qeveri prej më se dy vitesh ka qëndruar më gjatë në ambjentet e hotelit. Ky takim në fakt erdhi pasi të tre këta politikanë ishin të pranishëm në ceremoninë e inagurimit të një spitali në dalje të Tiranës. Por gjatë kësaj ceremonie është vënë re edhe prania e deputetit të përjashtuar nga radhët e socialistëve Kastriot Islami për krah kryeministrit Berisha, i cili e ka shoqëruar atë gjatë gjithë vizitës në ambjetet e spitalit bashkë me kryebashkiakun Basha. Kjo në fakt është hera e parë që zoti Islami shihet në vende publike me kryeministrin Berisha, që prej përjashtimit të tij nga grupi socialist.