Protesta në Kosovë, AK: Ndalni vëllavrasjen dhe vetëshkatërrimin
Aleanca Kuq e Zi ka dënuar veprimet e policisë së Kosovës ndaj protestuesve si dhe arrestimin e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti së bashku me aktivistë të tjerë duke e cilësuar një provokim për radikalizim të situatës. Më tej Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje organeve kompetente të ndalin vëllavrasjen dhe vetëshkatërrimin.
VV deklaroi më herët se lideri i tyre Albin Kurti është arrestuar para pak çastesh nga Njësia Speciale e Kosovës. Ndërkohë Policia e Kosovës ka filluar që të largojë nga rruga protestuesit duke përdorur edhe gaz lotsjellës.
Gjendja është nën kontroll por ende nuk dihet se si do të reagojnë protestuesit përballë kësaj. Deri tani, pavarësisht arrestimit të disa protestuesve dhe aktivistëve, gjendja është nën kontroll.